Instalimi i fotovoltaikëve/ OSHEE, kushtet që duhet të plotësojnë matësit e bizneseve dhe familjarëve!

Çdo konsumator familjar apo biznes tashmë ka të drejtë të sigurojë pavarësi energjetike përmes instalimit…

By admin

Çdo konsumator familjar apo biznes tashmë ka të drejtë të sigurojë pavarësi energjetike përmes instalimit të impianteve të prodhimit të energjisë nga dielli. Ndërkohë që, një prej detyrimeve është instalimi i një matësi me dy drejtime , që duhet të matë energjinë elektrike që subjekti merr nga rrjeti i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe energjinë që subjekti fut në rrjet. Ndërkaq, OSHEE ka përcaktuar edhe kriteret teknike që duhet të plotësojnë matësit, në mënyrë që të njihen nga sistemi. Kështu, përveç specifikimeve të standardeve IEC apo ISO, matësit duhet të jenë të aftë që të komunikojnë në distancë, sipas platformave që përdor OSHEE.

Gjithashtu, përveçse duhet të kenë mundësinë e matjes dhe ruajtjes së energjisë aktive import/eksport të ndarë, duhet edhe të regjistrojë energjinë aktive të akumuluar për secilin Regjistër të Kohës së Përdorimit. Jetëgjatësia e matësit duhet të jetë më shumë se 15 vjet, ndërkohë që të dhënat për energjinë e faturuar dhe kërkesën për energji duhet të ruhen për një periudhë minimale prej 15 muajsh. Paralelisht, Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për përcaktimin e tarifave që do të aplikojë OSHEE për lidhjet e impianteve fotovoltaikë në rrjetin e shpërndarjes. OSHEE ka paraqitur pranë Entit dhe propozime konkrete në këtë drejtim,  ku për impiantet që do të instalohen në tensionin e ulët 0.4 kv, kostot totale  e lidhjes me rrjeti shkon në 10 288 lekë, ndërkohë që tensionin e mesëm 6, 10, 20 dhe 35 kv, kosto totale shkon në 28 288 lekë. Por, në vendimin e fillimit të procedurës, ERE ka adresuar një sërë pikëpyetjesh mbi përllogaritjen e këtyre tarifave, të cilat do të duhet të argumentohen në vijim nga ana e OSHEE-së.