A e dini sa burime turistike ka Shqipëria?

Kur themi burimet nënkuptojmë që nga pikat kulturore, monumente të natyrës si shpella, kanione apo…

By admin

Kur themi burimet nënkuptojmë që nga pikat kulturore, monumente të natyrës si shpella, kanione apo edhe objekte kulti. Shifra e gjithë burimeve turistike është 3390. Qarku me pasuritë më të mëdha është ai i Gjirokastrës, me 697 burime që nis me Kalanë e qytetit, që është më përfaqësuesja dhe mbyllet me qytezën e Dedjanit në Përmet.

Gjirokastra ndiqet nga Berati, me 569 burime turistike që edhe në këtë rast, nisin me kalanë e qytetit pasohet nga kalaja e Krotinës, ajo e Mjeshtovës e me radhë lista mbyllet me Kroin Mbret dhe Kanionet e Xhunovës. Qarqet me pasuri më modeste janë Durrësi dhe Lezha me nga 98 burime turistike në listën e tyre ndërkohë që Fieri ka vetëm 92.

Por edhe pse Shqipëria ka kaq shumë burime, vetëm një pjesë e këtyre atraksioneve janë promovuar apo bërë pjesë e guidave turistike. Tendenca e vizitave është drejt pikave më simbolike, ndërkohë që turizmi i aventurës përmes grupeve të veçanta që organizohen fundjavave po eksperimenton viteve të fundit në destinacione të reja. Të tilla janë lumi i Shalës i konsideruar si Tajlanda Shqiptare, Ujëvara e Sotirës apo Kanionet e Osumit.

Edhe në kryeqytet ka gjithmonë e më shumë interes për të vizituar rrethinat, ku përveç Petrelës, Prezës apo Dajtit, që kanë kohë që janë pjesë e axhendës së fundjavave, janë shtuar edhe pika të tilla si Syri i Ciklopit, Kanionet e Erzenit e një seri atraksionesh të tjera.

Shqipëria ka qenë vitet e fundit në fokusin e mediave të huaja që promovojnë bukuritë e vendit, ndërsa dhe numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm. Butrinti, Berati, Gjirokastra, Kalaja e Krujës, apo dhe bregdeti janë destinacionet që u bëjnë më shumë përshtypje mediave të huaja.