Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është në procesin final të përzgjedhjes së ofertës fituese për ndërtimin e impiantit fotovoltaik në Akërni të Vlorës, duke i hapur rrugën diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, që aktualisht është 100% i varur nga burimet ujore. Për ndërtimin e këtij impianti janë dorëzuar 6 oferta nga kompani ndërkombëtare, ndërkohë që në varësi të ofertës fituese kapaciteti total i tij mund të shkojë deri në 100 MW.
Referuar skemës, për 50 MW shteti garanton blerjen e energjisë. Paralelisht, ministria ka gati edhe dokumentacionin për hapjen e garës, mbi mundësitë e lidhjes së TEC-it të Vlorës me gazin si e vetmja mundësi për vënin në funksionim të kësaj vepre energjetike.