Interesi i investitorëve për ndërtimin e veprave hidroenergjitike në vend me sa duket është rikthyer sërish. Pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë mbërritur tre aplikime për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël në dy qarqe të vendit, në Gjirokastër dhe Korçë. Shoqëria “Afrimi K” sh.p.k ka aplikuar në MIE për miratimin e ndërtimit të hidrocentralit ‘Kastriot 1’ me kapacitet prodhues deri në 2 MW. Nga dokumentet e publikuara, parashikohet që HEC-i të ndërtohet në përroin e Belicës, degë e lumit Drinos në qarkun e Gjirokastrës, ndërsa nuk bëhet e ditur vlera e investimit. Shoqëria “Afrimi K” ka si objekt të veprimtarisë së saj import-eksport, kërkim, përpunim dhe transport mineralesh.
Ndërkohë, dy shoqëri të tjera, “Gjeokonsult & Co” sh.p.k dhe “Enginereering-System” sh.p.k kanë shprehur interesin për ndërtimin e një tjetër vepre hidroenergjitike po në qarkun e Gjirokastrës.
Nga detajet e investimit, HEC-I është projektuar të ndërtohet në përroin e Gurrës, po degë e lumit Drinos dhe kapaciteti I instaluar do të jetë deri në 2 MW.
Ndërsa kërkesa tjetër për ndërtimin e HEC-it “Niçja”, po ashtu me kapacitet 2 MW, vjen nga shoqëria “Jova Company” sh.p.k. Në aplikim kërkohet ndërtimi i këtij hidrocentrali mbi përroin e Varrit të Plakës, në rrjedhën e sipërme të lumit Shkumbin, në qarkun e Korçës.
Kjo shoqëri e ka përqendruar aktivitetin e saj në projektim dhe ndërtim të objekteve energjitike (hidrocentrale, termocentrale, centrale eolike, etj).