Kalendari Mjedisor

Draft-raporti i ekspertëve të Konventës së Bernës kërkon pezullimin e HEC-eve Kalivaç dhe Poçem

Një raport paraprak i ekspertëve mjedisorë të Konventës së Bernës ka dalë me 12 rekomandime për qeverinë shqiptare në lidhje me pezullimin e HEC-eve në Vjosë dhe shtimin e mbrojtjes së natyrës. Një ankesë e vitit 2016 nga një organizatë mjedisore shqiptare në mbrojtje të lumit Vjosë, EcoAlbania ka vënë në lëvizje mekanizmin e Komisionit […]

By admin

Një raport paraprak i ekspertëve mjedisorë të Konventës së Bernës ka dalë me 12 rekomandime për qeverinë shqiptare në lidhje me pezullimin e HEC-eve në Vjosë dhe shtimin e mbrojtjes së natyrës. Një ankesë e vitit 2016 nga një organizatë mjedisore shqiptare në mbrojtje të lumit Vjosë, EcoAlbania ka vënë në lëvizje mekanizmin e Komisionit të Përhershëm të Konventës së Bernës, e cila mbron natyrën europiane dhe që Shqipëria e ka ratifikuar në vitin 1998.

Në një draft paraprak të rekomandimeve të ekspertëve të Komisionit të Bernës pas vizitës studimore në Vjosë më herët këtë vit, qeverisë shqiptare i rekomandohet pezullimi i projekteve të hidrocentraleve të Kalivaçit dhe Poçemit në luginën e Vjosës.

Në dymbëdhjetë rekomandimet paraprake thuhet se Shqipërisë i duhet të përgatisë me urgjencë një Plan të Menaxhimit të Integruar të Basenit të Vjosës, si dhe një vlerësim strategjik mjedisor për basenin lumor të Vjosës në bashkëpunim me Greqinë dhe në konsultime me komunitetin, duke pasur parasysh shfrytëzimin për ekoturizëm.

Ekspertët gjithashtu rekomandojnë qeverinë të zhvillojë një studim për ndikimet potenciale të HEC-eve të Kalivaçit dhe Poçemit në prujen e sedimenteve të lumit Vjosa si dhe të përsërisë studimin Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për HEC Poçem.

Studimet e viteve të fundit zbuluan se lugina e Vjosës ka një pasuri të madhe të jetës së egër dhe specieve të rralla peshqish. Ajo gjithashtu shërben si habitat çiftëzimi për shumë specie shpendësh dhe së bashku me Nartën ishte kandidat për zonë Emerald, ç’ka do të kërkonte masa të rrepta mbrojtjeje nga autoritetet.

Ndër të tjera ekspertët e konventës rekomandojnë që Shqipëria të ndërmarrë një vlerësim strategjik të energjisë për të hedhur sytë nga mënyra të tjera të prodhimit energjetik, si era dhe dielli.

Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë të mërkurën, Olsi Nika drejtuesi i organizatës që ka ngritur ankesën, EcoAlbania, argumenton se ndërtimi i HEC-eve në Vjosë është në kundërshtim me disa nene të Konventës së Bernës.

“Dhe sot pas një angazhimi të vazhdueshëm, Byroja e Konventës vjen me një raport dhe një sërë rekomandimesh të cilat qeveria shqiptare ka detyrimin që t’i marrë në konsideratë,” deklaroi Nika.

“Të dy hidrocentralet janë planifikuar në pjesën e poshtme të Vjosës dhe do të shkatërronin një pjesë veçanërisht të rëndësishme të lumit,” shtoi ai.

Aktualisht, qeveria shqiptare ka nënshkruar kontratën e koncesionit për hidrocentralin e Kalivaçit me bashkimin e përkohshëm të kompanive “Fusha Sh.p.k” dhe “Ayen Enerji”.

Projektit hidroenergjetik i Poçemit ndaloi pas shpalljes së pavlefshmërisë së kontratës konçesionare nga Gjykata Administrative e Shkallës së I-rë, Tiranë në maj 2017.

Komisioni i Përhershëm i Konventës së Bernës do të duhet të diskutojë dhe zyrtarizojë rekomandimet paraprake gjatë takimit në Strasburg në fund të nëntorit 2018. Ato do të ishin detyruese për qeverinë shqiptare dhe do të kërkonin që kjo e fundit të vepronte.