Shqipëria është i pari vend në Ballkanin Perëndimor që pajiset me një laborator të lëvizshëm për nxënësit. Përmes “Fi Ki Bio”, laborator i cili iu dhurua ministrisë së Arsimit nga Qeveria gjermane, fëmijët në shkolla të ndryshme të vendit mund të eksperimentojnë fenomene dhe dukuri natyrore që i mësojnë në teori në shkollë. Ministrja e MASR, Lindita Nikolla, e cilësoi këtë një mundësi shumë të mirë për sistemin arsimor shqiptar.
“Është mundësia më e mirë që ne të dëgjojmë zërin e tyre sesi e perceptojnë natyrën, sesi kanë mendimin e tyre kritik bazuar mbi të vërteta shkencore që vjen pas hulumtimit përmes këtij laboratori, e sigurisht për të mbajtur nesër edhe qëndrimin e tyre kundrejt shumë dukurive që na rrethojnë në mjedisin tonë”, tha Nikolla.
Ndërkohë, ministrja ka shtuar se mësues nga të gjithë qarqet e vendit do t’i nënshtrohen trajnimit për përdorimin e kësaj teknologjie për t’iu ardhur në ndihmë fëmijëve.
“Fi Ki Bio do të jetë një mundësi për të gjithë nxënësit e Shqipërisë jo vetëm në Tiranë, por në 12 qarqet e vendit sipas një kalendari të detajuar, pasi ne të kemi bërë të mundur trajnimin e mësuesve që cilësia e përdorimit të jetë ajo që meritojnë nxënësit, meritojnë mësuesit, meritojnë qytetarët e Shqipërisë së nesërme”, shtoi ndër të tjera ministrja.
Ndërkohë, e pranishme në aktivitetin prezantues, ambasadorja gjermane, Susanne Schütz, tha se ky laborator do ta bëjë më të kuptueshëm mjedisin jetësorë të nxënësve të cilët do të ushtrohen në eksperimente të dobishme por edhe argëtues për të kuptuar më shumë nga fenomenet që i rrethojnë.
Laboratori u vendos sot në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer” në Tiranë, ku nxënësit e klasës së 5-të kryen eksperimente të ndryshme.
Fi Ki Bio ofron module rreth ujit, ajrit, tokës, mbetjeve të ngurta, ndryshimeve klimatike dhe efiçencës së energjisë. Qëllimi është që Fi Ki Bio të ndërgjegjësojë të gjithë fëmijët në arsimin parauniveristar duke përcjellë mesazhin e mbrojtjes së mjedisit përmes njohjes së mekanizmave te tij.