Kontrolli i Lartë i Shtetit, si pjesë e një auditimi të fundit, ka nxjerrë në pah shumë problematika që lidhen me sektorin e peshkimit në Shqipëri.
Në këtë auditim u analizua performanca e strukturave përgjegjëse lidhur me zbatimin e politikave dhe legjislacionit për peshkimin dhe akuakulturën, niveli i përmbushjes së Objektivave Specifike të Zhvillimit të vendosura në Strategjinë Kombëtare të Peshkimit 2016-2021, si dhe procesi i monitorimit-kontrollit-vëzhgimit-inspektimit të aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës.
Sipas KLSH-së, problematikat më të mëdha janë në mungesën e një kuadri ligjor të plotë, teksa ai aktual ka dështuar për të mbuluar të gjithë aktivitetin e peshkimit dhe akuakulturës, ndër të cilat nënvizon mosmiratimin e Zonave të Përcaktuara për Akuakulturë, e cila ka penguar zhvillimin e këtij sektori.
Një ndër problematikat më të mëdha të evidentuara nga KLSH, është kryerja e aktivitetit nga Anijet e peshkimit pa qenë të pajisura me pajisjen përkatëse të identifikimit dhe lokalizimit automatik kjo në kundërshtim me Ligjin nr. 64/2012 “Për peshkimin”, i ndryshuar. Si rezultat është e pamundur të kryhet vëzhgimi i aktivitetit të anijeve të peshkimit, identifikimi dhe lokalizimi i tyre automatik pasi ato nuk mund të transmetojnë automatikisht të dhënat mbi identifikimin, datën dhe orën e pozicionit, shpejtësinë dhe kursin e anijes, të dhënat mbi të gjitha sasitë për secilin lloj të zënë dhe të mbajtur në bord, etj. Mungesa e sistemit të sinjalizimit satelitor rrezikon të mbyllë eksportet e peshkut për Shqipërinë, duke e klasifikuar aktivitetin e peshkimit si të paligjshëm, pa regjistruar dhe parregulluar.
Gjithashtu, KLSH nënvizon se, portet e peshkimit të vendit tonë menaxhohen në mënyrë jo efektive dhe kanë probleme të dukshme në infrastrukturë.
“Asnjë nga katër portet e peshkimit nuk ka kapacitet e duhura ankoruese për të gjithë flotën e peshkimit. Këto hapësira zvogëlohen edhe më shumë duke marrë parasysh anijet e zhytyra (portet e peshkimit Vlorë dhe Shëngjin), zënien e hapësirave të ankorimit nga mjetet private turistike (porti i peshkimit VLorë) apo mungesën e bankinave ankoruese. Asnjë nga katër portet e peshkimit nuk ka kantier për riparimin e anijeve të peshkimit (as në portin e ri të peshkimit Durrës i bërë funksional në janar të vitit 2019). Peshkatarët duhet të gjejnë në mënyrë individuale mundësitë e riparimit dhe kjo përbën një problem madhor për zotëruesit e mjeteve të peshkimit duke pasur parasysh moshën e vjetër që ka flota jonë e peshkimit (mosha e flotës 40 vjeçare krahasuar me mesataren e BE-së prej 21 vjeçare) dhe kostot që ka për peshkatarët riparimi i tyre. Të gjitha portet e peshkimit kanë probleme në furnizimin me ujë dhe energji elektrike. Në portin e peshkimit Vlorë një pjesë e konsiderueshme e hapësirave është e zënë me mjetet e sekuestruara nga Policia Rrugore. “-thuhet në raportin e auditimit.
Si përfundim, masat e marra nga MBZHR në vitet 2016-2018 për menaxhimin e aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës nuk kanë qenë të mjaftueshme, nënvizon KLSH. Sipas saj, ka nevoja emergjente për plotësimin e kuadrit ligjor të peshkimit dhe akuakulturës, riorganizimin e duhur strukturor të MBZHR-së në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Peshkimit, mbulimin me inspektim të të gjithë zinxhirit të aktivitetit të peshkimit dhe sigurimin e mjeteve logjistike në dispozicion të inspektorëve të peshkimit si dhe përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme të porteve të peshkimit dhe ekonomive të akuakulturës.