Duke filluar nga viti 2020, 10% e sasisë së karburanteve të konsumuara për transport në vendin tonë duhet të përbëhet nga biokarburantet. Projektligji i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është diskutuar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ndërkohë që vjen në kuadër të detyrimeve që ka vendi ynë për përdorimin e energjive të rinovueshme në masën 38% deri në vitin 2020. Por gjatë diskutimeve në komision, u theksua se arritja e këtij objektivi duket e vështirë, duke qenë se ligji është ende në diskutim.
Miratimi i këtij ligji do i hapë rrugën prodhimit të biokarburanteve në vend, ndërsa zbatimi i tij do të jetë detyrim për aktorët që operojnë në tregun e hidrokarbureve. Ndërkohë që, deputetët ngritën shqetësime mbi mundësinë e krijimit të pozitave monopol, por kjo mundësi u hodh poshtë nga zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja.
Grupet e interesit e konsideruan draftin e ministrisë me defekte dhe boshllëqe, teksa shtuan se ai diskriminon importuesit. Biokarburantet janë lëndë djegëse për sektorin e transportit që prodhohen nga biomasa, ndërkohë që projektligji i propozuar nga qeveria parashikon prodhimin e tyre brenda vendit ose importin e tij. Sipas dokumentit, kur prodhimi vjetor vendas i biokarburanteve dhe i lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, nuk mbulon të gjithë sasinë minimale vjetore, për t’u hedhur në treg, shoqëritë e tregtimit me shumicë që do të pajisen me licencat përkatëse detyrohen të garantojnë furnizimin e tregut me këtë sasi minimale vjetore nëpërmjet importit. Aktualisht, në vendin tonë konsumohet rreth 840 mijë ton në vit karburant.