Mbi qasjen ekohidrologjike të kompleksit lagunor të Lezhës

Megjithë ndryshimet që ka pësuar në vite, zona e Kune-Vainit (Lezhë) ruan ende vlera të veçanta shkencore, si dhe përbën një peizazh mjaft tërheqës mes tokës dhe detit. Për vlerat e natyrës dhe biodiversitetit, kjo zonë është e mbrojtur si Rezervat Natyror i Menaxhuar (Kategoria IV, sipas IUCN). Në të vërtetë, Kune-Vaini është zona e parë e mbrojtur në historinë e ruajtjes së natyrës në Shqipëri; prej vitit 1960 është shpallur Rezervat Gjuetie. Ky kompleks sot shtrihet në një hapësirë prej rreth 44 km2, nga të cilat 11 km2 janë të mbuluara nga uji, në pjesën tjetër gjenden hapësira kënetore, kallamishte, pyje dhe shkurre, toka bujqёsore etj.

By admin

Nga Prof. A. Miho, Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. E-mail: [email protected]

Megjithë ndryshimet që ka pësuar në vite, zona e Kune-Vainit (Lezhë) ruan ende vlera të veçanta shkencore, si dhe përbën një peizazh mjaft tërheqës mes tokës dhe detit. Për vlerat e natyrës dhe biodiversitetit, kjo zonë është e mbrojtur si Rezervat Natyror i Menaxhuar (Kategoria IV, sipas IUCN). Në të vërtetë, Kune-Vaini është zona e parë e mbrojtur në historinë e ruajtjes së natyrës në Shqipëri; prej vitit 1960 është shpallur Rezervat Gjuetie. Ky kompleks sot shtrihet në një hapësirë prej rreth 44 km2, nga të cilat 11 km2 janë të mbuluara nga uji, në pjesën tjetër gjenden hapësira kënetore, kallamishte, pyje dhe shkurre, toka bujqёsore etj.

Më shumë mbi vlerat e ZM të Kune-Vainit

Zona dallohet për larmi të madhe habitatesh të një kompleksi ligatinor tipik bregdetar. Në të janë raportuar mbi 270 lloje bimësh të larta, shumica bimë me lule. Disa pyje mbulojnë sipërfaqe edhe prej 2 km2, ku më të rëndësishmit janë pyjet aluvionale, të përziera mesdhetare, të sunduara nga vërria, frashëri gjethe ngushtë, plepi i bardhë, vidhi, rrënja etj.; këta strehojnë poshtë tyre larmi shkurresh, shkurrëzash dhe bimësh të tjera barishtore. Mbi duna sundon pylli me pisha të mbjella, i shtrirë gjithashtu edhe përgjatë shtratit lumor të Drinit dhe në rajonin e Vainit.

Për këtë zonë jepen mbi 340 lloje kafshësh, 23 gjitarë, 196 shpendë, 58 peshq, 10 zvarranikë, dhe 59 insekte; por studimet janë të kufizuara, sporadike dhe nuk përfshijnë të gjitha grupet. Rreth 190 lloje janë në Listën e Kuqe Shqiptare, veçanërisht 33 lloje shpendësh dhe 4 lloje gjitarësh i përkasin listës së kuqe të IUCN, si specie të kërcënuara globalisht. Llojet më të zakonshme të peshqve janë qefulli, ngjala, levereku, spargu, aterina, torpedo, lica, korbi, vopa, gjuhëza, stavridhi etj. Si Vaini ashtu dhe Kune përmenden për larminë e llojeve të shpendëve ujorë; kallamishtet e zhvilluara më shumë në Vain, janë habitate të rëndësishme për shpëndët dimërues. Prej shpendëve, 59 lloje janë të përhershëm, 65 dimërues migratorë, 51 verues migratorë etj.

Zona dallohet për larmi habitatesh, me shumë rëndësi për shpendët migratorë dhe në veçanti për koloninë e Çafkës së përhime. Është e pasur me bimësi ujore, me hapësira ujore dhe kallamishte, shumë të përshtashme për shpendët ujorë, por dhe disa rrëmbenjës; këta të fundit këtu kanë dendësinë më të lartë në Shqipëri. Hapësirat lagunore dhe delta e Drinit kanë rëndësi të veçantë për strehimin, ushqimin dhe shtimin e peshqve, veçanërisht për peshqit migratorë. Zona strehon zvarranikë të veçantë ujorë, si dhe shpendë grabitqarë, si shqiponja e malit dhe petriti, lloje të rralla të mbrojtura nga disa konventa.

Mbi programin tonë kërkimor mbi qasjen ekologjike të kompleksit lagunor

Gjatë periudhës Korrik 2018-Korrik 2019 u krye një program kërkimor mbi qasjen ekologjike të kompleksit lagunor të Kune-Vainit (Lezhë) mes departamenteve të Biologjisë dhe Kimisë, FShN, UT. U vlerësuan tre përbërsa: fitoplanktoni, zooplanktoni dhe bimësia ujore (makrofitet); paralelisht u vlerësuan edhe tregues fizikë dhe kimikë, lëndët ushqyese (azoti dhe fosfori) dhe klorofilet. Kjo u bë me pjesëmarrjen e 5 studentëve master, duke punuar secili në një pjesë të veçantë, nën mbikëqyrjen e ekspertëve përkatës në secilën fushë. Në zonë u kryen gjithsej 7 vizita të përbashkëta biologësh, kimistësh, bashkë me studentët, në çdo dy muaj; u bënë vlerësime në të paktën 5 vende përfaqësuese të tre mjediseve ujore lagunore kryesore: në Cekë dhe Zaje (Vain), dhe në Merxhan (Kune).

Studimi u krye në kuadër të projektit të Kune-Vainit (http://kunevain.com/), i financuar nga UNEP, GEF dhe Qeveria Shqiptare. Qëllim i këtij projekti ishte rritja e qëndrueshmërisë së kompleksit lagunor ndaj ndryshimeve klimatike përmes masave përshtatëse të ekosistemit (EbA, Ecosystem-based Adaption); gjithashtu, ne jemi mirënjohës edhe ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës së dhënë nga Administrata e Zonës së Mbrojtur. Të dhënat e plota nga secili grup studimor u diskutuan nga secili student përkatës në shtatorin e kaluar, dhe janë vënë në dispozicion të ekspertëve drejtues të projektit të Kune-Vainit. Mbështetur në gjetjet e këtij studimi, unë dua të ndaj disa mendime dhe këshilla mbi ruajtjen dhe ripërtëritjen ekologjike të këtij kompleksi lagunor në të ardhmen, me qëllim ndihme për Administratën e ZM, vendimarrjen vendore dhe ekspertizën mjedisore vendase.

Ekohidrologjia e kompleksit lagunor është e lidhur ngushtë me ndryshimet historike

Formimi i lagunave të Lezhës (Ceka, Zaje, dhe Merxhani) ka qënë lidhur ngushtë me lumin Drin. Drini i Lezhës ishte lumi më i madh në Shqipëri. Prej vitit 1963, Drini u devijua drejt Bunës; fusha e Zadrimës u bonifikua dhe u shmangën përmbytjet e saj dhe të qytetit të Lezhës. Drini i Lezhës është sot thjesht një kanal kullimi, vetëm 48 km, me prurje prej rreth 18 m3/s, ose mbi 19 herë më pak se Drini i dikurshëm. Edhe transporti i lëndëve të ngurta u zvogëlua deri në 13 herë. Pra prej mbi 50 vite në deltën e Drinit të Lezhës nuk depozitohet më sasia e dikurshme e lëndëve të ngurta të transportuara në shekuj nga Drini. Mendoj se ndërhyrje të tilla të skajshme janë vendimtare për shqetësimet gjeomorfologjike të deltës së Drinit në Lezhë, në erozionin e dunave dhe të plazhit, qoftë në zonën e Kunes (Shengjin), ose në zonën e Vainit. Sigurisht, që jam dakord se ndikimi i ndryshimeve klimatike e kanë nxitur një gjë të tillë edhe më shumë. Për këtë arsye unë këshilloj fort të merret parasysh mundësia e kthimit pjesor (të kontrolluar) të ujërave nga Drini në Shkodër në shtratin e dikurshëm të Drinit të Lezhës. Rigjallërimi i Drinit të Lezhës, nëse do të ishte e mundur, do të ishte në fokus të një strategjie ripërtëritëse ekologjike (EbA) të kompleksit lagunor të Kune-Vainit. Kjo do të ndihmonte në parandalimin e erozionit të dukshëm bregdetar, si dhe në mbajtjen në jetë të gjithë kompleksit lagunor.

Gjithë trupat ujorë lagunorë dhe delta e Drinit janë në lidhje të ndërsjelltë ekohidrologjike

Kompleksi lagunor i Kune-Vainit përbëhet nga 4 trupa ujorë, Merxhani dhe Knalla në pjesën veriore të Deltës së Drinit (zona e Kunes), dhe Ceka dhe Zaje në jug (zona e Vainit). Në qasjen tonë ekologjike kemi marrë në studim vetëm Cekën, Zajen dhe Merxhanin si më kryesorët. Por edhe Knalla, është gjithashtu në një lidhje të ngushtë hidrologjike me lagunën e Merxhanit. Këta 4 trupa ujorë, së bashku me deltën e Drinit, duhet të merren parasysh në gjithë masat ripërtëritëse ekohidrologjike në të ardhmen.

Pamje satelitore e kompleksit lagunor të Kune-Vainit (Lezhë). Me shigjetë tregohen zona bregdetare ku sot ka gërryerje (erozion);

Ceka, Zaje dhe Merxhani paraqesin qasje ekologjike krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Këtu do të përpiqem të jap gjetjet kryesore mbështetur te fitoplanktoni. Por kjo u vu re gjithashtu edhe në gjetjet e tjera ekologjike dhe kimike. Për më tepër do të cilësoja se monitorimi i vazhdueshëm i fitoplanktonit, veçanërisht llojet helmuese, në të gjithë trupat ujorë lagunorë do të parandalonte ndikimet e dëmshme në botën e gjallë (peshq, molusqe dhe shpendë), por edhe tek vetë njeriu si përdorues në këtë zonë.

Në lagunën e Cekës u vu re një kulm shumë i lartë i fitoplanktonit në vjeshtë (Shtator-Nëntor 2018) (deri në 127,000 qeliza/ml), dhe një tjetër shumë më i vogël në Maj 2019; ky kulm i lartë vjeshtor është i pazakontë për ecurinë normale të fitoplanktonit në lagunat shqiptare (p.sh. në Butrint), si dhe ato mesdhetare. Ndoshta ishte dëshmi e ndikimit të kanalit komunikues me detin që u hap në gusht 2018, përmes ndërhyrjes së projektit të Kune-Vainit; me siguri kjo ndërhyrje ka ndihmuar në shkëmbimin më të mirë të ujit të lagunës me detin. Edhe pse ky ndikim nuk zgjati shumë. Krahasuar me Cekën dhe Merxhanin, sasia e fitoplanktonit ishte përgjithësisht e ulët në lagunën e Zajes; është vërejtur ecuri pothuajse stinore, me një kulm në Maj 2019 dhe një në Shtator 2018, që mund të konsiderohet disi normale për lagunat shqiptare dhe lagunat e tjera mesdhetare.

Ecuria e fitoplanktonit në Merxhan ishte disi e pazakontë, gjithashtu, me një kulm relativisht të lartë në Janar 2019, dhe një tjetër shumë më të vogël në Maj 2019. Kulmi i pazakontë dimëror duket se mbizotërohet nga alga potencialisht helmuese (alga silicore rrethore ose cianobaktere), të cilat nuk janë aspak të shëndetshme për ekosistemin, për peshqit, shpendët ujorë, por edhe për vetë njeriun si përdorues. Vlen të theksojmë se të gjithë mbetëm të tronditur nga gjendja e rëndë e lagunës së Merxhanit, gjëndja distrofike, përmbajtje e lartë e lëndës organike në dekompozim, e shoqëruar kudo me erë të keqe. Peshkatarët ankohen se peshkimi ka rënë ndjeshëm, nga 800 kv në vit vetëm disa vjet më parë, në më pak se 100 kv sot! Në Prill 2016, peshkatarët kanë raportuar në media për ngordhje peshqish; një situatë e tillë kishte ndodhur për më shumë se një vit. Ne besojmë se kjo situatë mund të ndikojë edhe në cilësinë e ujërave larës të plazhit të Shëngjinit pranë.

Nga të dhënat e fitoplanktonit, në ecurinë e tyre të pazakontë, por dhe nga të dhënat e tjera, lagunat e Cekës dhe Merxhanit duket se nuk kanë ujëkëmbim të mirë me detin; kjo mbështetet edhe në qasje të mëparshme nga vlerësime rastësore të fitoplanktonit të tyre.  Gjithë njohuritë e përparuara sot për jetën e lagunave theksojnë fort se ujëkëmbimi me detin (baticë-zbatica) është jetike për funksionin normal ekologjik të tyre, madje për vetë mbijetesën e tyre. Për rrjedhojë, kujdesi i vazhdueshëm për ujëkëmbimin me detin për të tre lagunat do të ishte thelbësore, veçanërisht për Cekën dhe Merxhanin. Ajo që unë do të këshilloja është thellimi i vazhdueshëm i kanaleve ekzistuese. Kanali i ri lidhës me detin në Cekë u mbyll shpejt (e gjetëm të bllokuar që në Shtator 2018); duket se nuk është përdorur një praktikë e qëndrueshme. Për mendimin tim kanali ekzistues në Cekë, edhe pse mjaft i gjatë, mendoj se paraqet një shtrat të vdekur të ish Drinit, dhe shumë më të qëndrueshëm se çdo lloj hapje tjetër; por ky kërkon të mbahet rregullisht i hapur me dragë në daljen e tij në det. Po kjo do të ishte e nevojshme edhe për kanalin e ujëkëmbimit të Merxhanit, dhe gjithashtu të Zajes. Peshkatarët duhet ta kenë mirë parasysh një gjë të tillë, pasi kjo lidhet edhe me vetë shëndetin ekologjik të gjithë kompleksit lagunor, përfshirë dhe peshkimin; por peshkatarёt duhet dhe të mbështeten me një dragë për këtë.

Për më tepër, për Cekën unë do të këshilloja të rihapet porta që lidh këtë lagunë me lagunën e Zajes. Kjo do të ndihmonte në ujëkëmbim më të mirë midis Cekës dhe Zajes, dhe me vetë lumin Drin. Peshkatarët dhe Administrata duhet të bien dakord edhe për këtë! Ndoshta mund të ndihmonte më tej parandalimin e krizave distrofike në Cekë, veçanërisht gjatë verës.

Gjithashtu, do ishte jo me pak rëndësi edhe rihapja e Kanalit të Kularit në Merxhan, i cili do të përmirësonte ujëkëmbimin lagunës me detin në pjesën e sipërme të saj, pranë ndikimit të shkarkimeve të hidrovorit. Edhe për këtë rast do të theksoja se hapja e Kanalit të Kularit do të ndihmonte në parandalimin, dhe ndoshta edhe përmirësimin e kushteve distrofike të vërejtura në Merxhan. Vendasit tregojnë se Kanali i Kularit u mbyll menjëherë pas viteve 1990-të për shkak të infrastrukturës turistike në zonën e Kunes. Më lejoni të theksoj se gjithë ndërtimet në këtë zonë shumë të ndjeshme, jo vetëm që përbëjnë trysni ndaj gjendjes së lagunës, por janë gjithashtu të ekspozuara ndaj rrezikut të lartë të erozionit nga deti. Pra është një zhvillim turistik jo i mbështetur në qasjen e ekosistemit (EbA).

Masa të tjera mbështetëse me rëndësi në qasjen e ekosistemit

Në ujërat lagunorë (veçanërisht në Cekë dhe Merxhan) është vërejtur ngarkesë relativisht e lartë e lëndëve ushqyese (azot dhe fosfor). Duhet thënë se gjithë hapësira lagunore janë të mbrojtura nga burimet ndotëse të drejtpërdrejta, si ato urbane, bujqësore etj. Megjithatë, ushqyesit dhe ndotës të tjerë mund të përfundojnë në lagunë nëpërmjet ujëkëmbimit të rregullt të baticë-zbaticës me detin (në Cekë dhe Merxhan), me deltën e Drinit (në Zaje), ose nga shkarkimet e stacioneve të pompimit në Ishull Shëngjin (Merxhan) dhe Tale (Cekё).  Për këtë, në zonë duhet të këmbëngulet për trajtim të rregullt të ujërave urbane nga Impianti i Përpunimit në Shёngjin. Duhen gjithashtu masa të rrepta kontrolli dhe disiplinimi i ujërave të zeza që shkarkohen direkt të patrajtuara në stacionet e pompimit ose në Drin. Po ashtu kontroll i përhershëm ndaj gjithë shërbimeve turistike në brendësi të vetë kompleksit lagunor.

Do të ishte me shumë rëndësi parandalimi i planeve për urbanizimin dhe turizmin jo në qasje me ekosistemin, si ndodh sot rëndom, por edhe nga ndërhyrje të tjera, nga ana e njeriut, ose dhe nga ndryshimet klimatike. Pushteti vendor në Lezhë dhe Administrata e ZM nuk duhet të ndihen aspak krenarë që kanë lejuar që ndërtimet të shtrihen thellë në drejtim të gadishullit të Kunes, ose brenda zonës së Vainit në anën tjetër të Drinit. Përveç gjendjes së mjeruar të Merxhanit ja dhe një shembull tjetër domethënës: Para viteve 1990-të, rezervati i Kunes strehonte koloninë më të madhe të çafkave në Shqipëri, ndoshta edhe më gjerë në rajon, me rreth 2000-2500 çifte (në 1952); në atë kohë, pjesë e kolonisë ishin gjithashtu dhe karabullakët (shpendë globalisht të kërcënuar) me rreth 10% të sasisë. Në vitet 2000 kolonia e çafkave zbriti në 20-25 çifte gjithsej, kurse karabullakët nuk ishin më pjesë e saj. Kjo me siguri për shkak të mungesës së mbrojtjes nga gjuetia, nga ndërhyjet prej ndërtimeve dhe shtimit të lëvizjes motorike në afërsi të saj. Në vitet e fundit prania e shpendëve ujorë në Kune-Vain ka filluar të rritet disi për shkak të rritjes së masave të ruajtjes, por ende është shumë i ulët në krahasim me 60-70 vite më parë.

Këto ditë dëgjuam për asfaltimin e rrugës në brendësi të Rezervatit të Vainit. Edhe kjo nuk është aspak qasje ekologjike pozitive. Shtimi i zhurmës nga mjetet motorike, si dhe të tjera shqetësime shoqëruese, me siguri do të ndikojnë te shpendët e shumtë që ne kemi vënë re të dimërojnë në Zaje. Edhe qërimi i brigjeve të lumit Drin që vrejtëm këtë verë dhe kthimi i tyre në një baltovinë nuk është gjithashtu një qasje ekologjike e mënçur; kallamishtet e dendura përgjatë brigjeve lumore dhe bimë tё tjera mes tyre, janë habitate të veçanta dhe mjaft të rëndësishme për strehimin, ushqimin dhe shtimin e një bote të pasur lumore.

Veprimtaritë ripyllëzuese jo vetëm në zonën bregdetare, por përgjatë gjithë zonës së Lezhës me siguri mund të ndihmojnë në parandalimin e erozionit të shpatit, parandalimin e përmbytjeve, zbutjen e klimës, dhe përmirësimin e vetë jetës në përgjithësi. Por kjo mund tw bwhet duke mbështetur ngritjen e fidanishteve pyjore në vend, dhe pse jo një të tillë edhe në Lezhë! Këto fidanishte mund të shtojnë llojet drunore dhe shkurrore vendase. Nuk mund të vazhdojë pyllëzimi i Shqipërisë me fidanë të importuar, dhe në disa raste edhe me bimë ekzotike. Në rastin konkret do ishte me rëndësi edhe ruajtja dhe ripërtërija e ekosistemeve të ndjeshme bregdetare, tepër të brishta dhe të kërcënuara, si brigjet e deltës së Drinit dhe dunat bregdetare në të dy anët, pyjet halore mesdhetare, pyjet aluviale dhe të përziera brenda gjithë kompleksit lagunor.

Si përfundim për qasjen ekologjike të zonës së mbrojtur të Kune-Vainit, do ishte me shumë rëndësi të shihet mundësia për të hartuar, miratuar dhe zbatuar realisht një Plan Menaxhimi gjithëpërfshirës për të gjithë këtë Zonë të Mbrojtur. Ky plan mund të shtronte për zgjidhje shqetësime të tilla si: urbanizimi dhe turizmi, ndotja, eutrofikimi dhe algat helmuese, ujëkmëbimi lagunor, erozioni dhe masat hidroteknike përkatëse, rivitalizimi i Drinit, ripyllëzimi dhe fidanishet, peshkimi dhe akuakultura, etj.