Rreth 5500 biznese të vogla sikurse janë furrat e bukës, lavazhet, pastrimet kimike, etj. nuk do të duhet më të pajisen me lejen mjedisore të tipit C. Ndryshimet ligjore të propozuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit janë miratuar në Komisionin parlamentare të Veprimtarive Prodhuese, ndërkohë që mbetet miratimi në seancën plenare për t’i hapur rrugë zbatimit të rregullave të reja.
Sipas ministrit Blendi klosi, ndryshimet ligjore kanë për qëllim primar reduktimin e lejeve të tipit C, çka sipas tij do të sjellë ulje të ndjeshme të kostove financiare për subjektet që tashmë operojnë me këtë leje mjedisi. Gjithashtu, heqja e detyrimit për t’u pajisur me këto leje sjell një lehtësimin të procedurave për këto biznese, që sipas ministrit kanë një ndikim të ulët në mjedis.
Megjithatë, më herët ekspertët i kanë kundërshtuar këto ndryshime, pasi sipas tyre, janë disa kategori biznesesh, që nuk duhet të përjashtohen, pasi shkaktojnë ndotje të konsiderueshme, ndonëse nga ministria konsiderohen si ndotës të vegjël. Megjithatë, sips tyre në momentin që këto ndryshime miratohen do të jetë i nevojshëm përcaktimi i kritereve të qarta që duhet të përmbushin këto biznese në lejet e shfrytëzimit, që aktualisht lëshohen nga pushteti vendor.