Kalendari Mjedisor

Komuniteti shkencor shqiptar dhe ndërkombëtar kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Vjosa

Një nga peticionet më të mëdha shkencore mbi ekologjinë globale të ujërave të ëmbël bën thirrje për të ndaluar projektet e hidrocentraleve në lumin Vjosa në Shqipëri ++ Shkencëtarët kërkojnë nga qeveria shqiptare të respektojë standardet shkencore të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) për projektin e Kalivaçit

By admin

Një nga peticionet më të mëdha shkencore mbi ekologjinë globale të ujërave të ëmbël bën thirrje për të ndaluar projektet e hidrocentraleve në lumin Vjosa në Shqipëri ++ Shkencëtarët kërkojnë nga qeveria shqiptare të respektojë standardet shkencore të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) për projektin e Kalivaçit

Tiranë, 15.2.2020 

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në Tiranë, shkencëtarët shqiptarë të mbështetur nga kolegë nga Austria dhe Gjermania ngritën zërin për Vjosën dhe veçanërisht kundër vazhdimit të procesit për projektin e digës së Kalivaçit. 

Qëndrimi i tyre u mbështet nga një numër i madh shkencëtarësh: 776 shkencëtarë nga 46 vende nënshkruan një peticion për të ndaluar ndërtimin e digës në lumin Vjosa si dhe për të ndjekur standardet ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje. Midis tyre edhe disa nga shkencëtarët më të njohur në botë. Ky është një nga peticionet më të mëdha të shkencës në ekologjinë e ujërave të ëmbël, në nivel botëror. Në mënyrë të paimagjinueshme, peticioni u nënshkrua nga 129 ekspertë shqiptar, dhe kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë moderne të vendit.

Një konferencë për shtyp e jashtëzakonshme, ku shkencëtarët kombëtar dhe ndërkombëtar të mbështetur nga 776 shkencëtarë nga e gjithë Bota, bënë thirrje për mbrojtjen e lumit Vjosa.

Peticioni i drejtohet qeverisë shqiptare, përkatësisht kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Nënshkruesit paralajmërojnë rreziqet dhe pasojat e projekteve të hidrocentraleve në Vjosë si, humbja e ekologjisë unike, përkeqësimi i cilësisë së ujit, përkeqësimi i ujërave nëntokësorë, rreziqet e veprimtarive sizmike, erozioni bregdetar etj. Megjithatë, as Kryeministri dhe as ministri i Turizmit dhe Mjedisit nuk ishin të gatshëm të prisnin peticionin. Ndërsa  Presidenti Ilir Meta pranoi peticionin dhe mirëpriti një delegacion shkencor të premten, më datë 14 Shkurt. Ai shprehu mbështetjen e tij për të mbrojtur lumin e fundit të egër në Evropë. Për më tepër, peticioni iu dorëzua Shefit të Parlamentit, Zv. Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Avokatit të Popullit në Tiranë.  

Delegacioni përfaqësues i komunitetit shkencor: Prof. Ferdinand Bego, Prof. Aleko Miho dhe Prof. Fritz Schiemer, gjatë dorëzimit të peticionit në zyrën e Presidentit. Ilir Meta (c) Foto zyrtare e Presidencës

Qëndrimi i shkencëtarëve rezulton të jetë më i vlefshëm se kurrë. Kohët e fundit, përmbledhja e VNM-së (Vlerësimi i Ndikimit në Mjedisi) për hidrocentralin e Kalivaçit, u prezantua për publikun në Memaliaj. Cilësia e dobët e saj tregon që standardet dhe provat shkencore nuk janë përmbushur: periudha kohore për gjithë vlerësimin është shumë e shkurtër (vetëm disa muaj në vend të 2-3 viteve), nuk është vlerësuar asnjë ndikim ndërkufitar si mungojnë të dhëna të thelbësore. “I gjithë procesi, kam frikë, se është i rremë. Për vite me radhë, shkencëtarët shqiptarë dhe kolegët tanë nga vendet e tjera kanë ofruar mbështetje për çështjen e Vjosës, por politikanët shqiptarë na kanë injoruar vazhdimisht. Sidoqoftë, ne qëndrojmë jo vetëm për Vjosën, por edhe për respektimin e standardeve shkencore në Shqipëri, për të mirën e njerëzve dhe natyrës sonë“, tha Prof. Aleko Miho nga Universiteti i Tiranës.

Prof Ferdinand Bego nga Universiteti i Tiranës shton: “Vjosën, të vetmin lumë të lirë që na ka mbetur siç e ka krijuar Natyra, ia kemi borxh brezave të ardhshëm. Është i vetmi shpëtim që kemi dhe do të kenë brezat e ardhshëm që do të jetojnë në këtë vend për të ndrequr gabimet tona dhe shëruar jetën e egër lumore edhe në lumenjtë e tjerë të vendit. Përpara kësaj emergjence kombëtare, asnjë analizë mjedisore, aq më pak kjo e paraqitur nga VNM-ja në fjalë, nuk mund të qëndrojë dhe të justifikohet”.

Prof Fritz Schiemer nga Universiteti i Vjenës: “Sot, Vjosa është më shumë se një lumë i bukur në Shqipëri, ajo njihet gjerësisht në Evropë dhe madje globalisht në komunitetin shkencor. Për fat të keq, ne kemi dëshmi se VNM-ja e Kalivaçit është më shumë një karikaturë e një VNM-je se sa një VNM e vërtetë. Vlerësimet tona dëshmojnë vlerën e madhe të sistemit të Vjosës. Sidoqoftë, studime të mëtejshme të hollësishme 2-3 vjeçare nevojiten si bazë për një VNM të vlefshme. Gjithashtu, mbeten për t’u adresuar rreziqet e dukshme dhe dëmet në natyrë, njerëzit dhe ekonomia e vendit.”

Për më tepër, Dr. Klodian Skrame nga Universiteti Politeknik i Tiranës nënvizoi një nga problematikat e ditëve të fundit, rreziku sizmik. “Ndërtimi digave në basenin e Vjosës është i gabuar, sepse ajo është një nga zonat me sizmike në Shqipëri. Zona nga Kalivaçi në Poçem kufizohet nga një shkëputje aktive në pjesën Jugore. Efektet e tij në rrëshqitjet e tanishme të tokës dhe ndërtimet e hidrocentrale duhet të përcaktohen gjerësisht. Digat me rezervuare të mëdhenj do të rritnin rreziqet për njerëzit që jetojnë në rrjedhën e poshtme të digës. “

Të gjithë shkencëtarët konfirmuan se janë të gatshëm të mbështesin qeverinë, nëse ajo vendos të ndërmarrë një proces të denjë që respekton shkencën moderne dhe kërkesat ligjore. Prandaj, ekspertët u bënë thirrje përsëri autoriteteve përkatëse që të fillojnë një proces të ndershëm dhe të ndalojnë procesin fals – të rremë – për digën e Kalivacit. “Vjosa ka një vlerë të jashtëzakonshme për Evropën dhe për këtë arsye ne nuk do të heqim dorë për këtë çështje”, përfunduan të gjithë shkencëtarët.

I gjithë komuniteti shkencor në Shqipëri dhe ndërkombëtar janë të bashkuar për mbrojtjen e lumit Vjosa. Në këndvështrimin shkencor ruajtja e lumit të fundit të egër është moment kyç për të ardhmen e ekosistemeve lumore. – Nick St. Oegger

Informacion shtesë:

SHKARKONI Peticionin e shkencëtarëve për Vjosën dhe Deklaratat e shkencëtarëve mbështetës më të njohur

Argumentet shkencore kundër ndërtimit të HEC-eve në Vjosë janë të shumtë. Në disa video të shkurtra, ata paralajmërojnë mbi shume4 aspekte  shqetësuese, duke përfshirë: erozionin bregdetar, humbjen e biodiversitetit, rrezikun e krisjes së digave për shkak të zonës së prirur për tërmete, humbje ekonomike dhe shumë të tjera. 

Lumi Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë. Qeveria Shqiptare planifikon ndërtimin e disa digave, një prej të cilëve është diga e Kalivaçit. Vizioni ynë alternativ është krijimi i Parkut të parë Kombëtar të një lumi të egër në Evropë. Shkencëtarë nga Shqipëria, Austria, Gjermania, Franca, Italia etj., janë duke bërë kërkime në Vjosë që prej 4 vitesh. Ata kanë publikuar disa rezultate: Vlerësime biologjike të lumit Vjosa, Studimi i sedimenteve. Ata gjithashtu organizuan Simpoziumin Ndërkombëtar për Lumenjtë e Egër dhe Mbrëmjen e Lumenjve të egër në Tiranë më 18 tetor 2019. Rezultati i këtij aktiviteti ishte një deklaratë, me anë të së cilës shkencëtarët pjesëmarrës i kërkuan Institucioneve Evropiane, liderëve në Evropën Jug-Lindore dhe Qeverisë Shqiptare në veçanti, të ruajnë lumenjtë e egër në Evropë. 

Për më shumë info: http://www.ecoalbania.org/sq/2020/02/15/komuniteti-shkencor-shqiptar-dhe-nderkombetar-kunder-ndertimit-te-hidrocentraleve-ne-lumin-vjosa/