Klosi: Çdo centimetër i zonave të mbrojtura duhet të ketë arsyen përse është e tillë

Për më shumë se 6 muaj u ndërmor nga një grup ekpertësh një vlerësim total…

By admin

Për më shumë se 6 muaj u ndërmor nga një grup ekpertësh një vlerësim total i zonave të mbrojtura në territorin e vendit tonë. Janë bërë mbi 40 takime në 12 qarqet e vendit, me shoqërinë civile dhe komunitetin shkencor.

Ky studim nuk ka për qëllim që të heqë ose zvogëlojë sipërfaqen e zonave të mbrojtura të vendit, përkundrazi ai kërkon që të përcaktojë me saktësi dhe në mënyrë të gjeoreferencuar kufijtë e zonave të mbrojtura; Të përshkruajë në formën e një skede, pasaporte vlerat dhe karakteristikat e zonës të cilat japin përgjigje arsyes përse zona mbrohet; Të marrë në shqyrtim territore të reja që janë propozuar për t’u bërë pjesë e sistemit të zonave të mbrojtura si: zona e Munellës, lumi i Vjosës, etj.; Të standardizojë rrjetin e shtigjeve ekzistuese në këto zona, për t’i dhënë më shumë mundësi eksplorimit dhe zhvillimit turistik të tyre.

“Është e vërtetë që ka projekte, ka tendenca, ka disa prej tyre të jashtëzakonshme, por që duhen vendosur në dakordësi me parimin e këtyre zonave që ne do të miratojmë sot, ose do të hapim sot diskutimin për miratim. Ashtu siç ka dhe tendenca, të cilat unë kam qenë në të dyja krahët, dhe kur kam qenë deputet i thjeshtë, dhe kur jam ministër në mbrojtje të fortë të bukurive natyrore, të pasurive tona të trashëgimisë natyrore, të lumenjve tanë, të zonave të cilat duhet të jenë strikt të mbrojtura, por dhe zona që duhen parë në kuadër të hapësirave të reja se si këto bukuri të rralla natyrore nuk janë aty për të qenë vetëm të bukura, por janë aty të bukura për t’iu ofruar turistëve dhe për t’u vizituar nga më shumë turistë të huaj”, deklaroi ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka për detyrë, vendosjen e një ekuilibri të drejtë por dhe të qëndrueshëm, nëpërmjet trajtimit të zonave të Mbrojtura, nga pikëpamja mjedisore por tashmë të kombinuar me dëshirën për të bërë turizëm dhe për të patur shumë më tepër zhvillim në këto hapësira. “Prej një viti është bërë një punë e madhe për të ndërtuar këto harta që i keni këtu dhe i keni në tryezat tuaja, harta që janë vlerësime të ekspertëve mjedisor, por që e kam kërkuar që ditën e parë dhe në shumë takime kur kam qenë vet prezent që këto harta duhet të jenë shumë të detajuara dhe çdo centimetër i zonave të mbrojtura duhet të ketë arsyen përse është zonë e mbrojtur, përse ne mendojmë që ajo duhet të ketë vlera për vazhdimësinë, kur janë vlerat që mund të promovohen në ato Zona të Mbrojtura, kush janë arsyet përse këto hapësira duhet të ofrohen shumë më tepër për të zhvilluar një turizëm real dhe një turizëm të qëndrueshëm në këto hapësira. Prandaj ky është një diskutim që vjen nga grupi i teknikëve dhe pastaj do të fillojmë me procedurën e miratimit administrativ, pra me mendim dhe gjykim të zyrtarëve dhe kryetarëve të bashkive të institucioneve të tjera që logjikojnë dhe gjykojnë mbi dëshirën për zhvillim në hapësirat që shikohen të mundshme për zhvillim dhe natyrisht për të vënë një gur të rëndësishëm në mbrojtjen e hapësirave brenda këtyre zonave”, deklaroi Klosi.