Projekti 67 milionë USD i BB për burimet ujore, kërkohet shtyrje me një vit

Ekipi që ka vlerësuar së fundmi projektin 67.2 milionë dollarë për burimet ujore dhe ujitjen…

By admin

Ekipi që ka vlerësuar së fundmi projektin 67.2 milionë dollarë për burimet ujore dhe ujitjen i ka kërkuar Bankës Botërore që të shtyje të paktën me një vit afatin për mbylljen. Referuar një kërkese zyrtare të qeverisë saktësohet se është e pamundur që të bëhet mbyllja e të gjithë proceseve të parashikuara sipas afatit 31 maj 2020 që është në fuqi aktualisht.

Projekti për burimet ujore u financua përmes një kredie 67 milionë dollarë nga IBRD pjesë e Bankës Botërore dhe fillimisht shuma që u vu në dispozicion ishte 40 milionë dollarë dhe më pas zgjatja e projektit edhe me një fazë të re u shoqërua me një shtesë financimi prej 27.2 milionë dollarë.

Dokumenti sqaron se pothuajse të gjithë aktivitetet që ishin parashikuar në pjesën e parë të financimit janë përfunduar dhe mbeten vetëm disa elementë minimale ndërkohë që shtyrja kërkohet për aktivitetet që financohen nga pjesa e dytë e kredisë.

“Zbatimi i aktiviteteve nën financimin shtesë është vonuar për shkak të dorëheqjes së stafit të Njësisë së Menaxhimit të Projektit përfshirë menaxherin dhe specialistin e prokurimeve në një fazë kritike të zbatimit të projektit dhe ndryshimet në ministri përfshirë ministrin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural. Detyra e plotësimit të stafit mori gati 5 muaj. Faktorë të tjerë që kanë ndikuar janë mungesa e përllogaritjes së sezonit të ujitjes në formulimin e hartimit të kalendarit të zbatimit si dhe koha më e gjatë sesa parashikohej për të përgatitur një projekt të detajuar të sistemit të ujitjes Janjari.

Dizajni i detajuar tashmë është përfunduar. Vlerësimi i ofertave për punët ndërtuese tashmë është në proces dhe pritet që të kompletohet së shpejti. Kompletimi i skemës së ujitjes Janari është kyçe për arritjen e objektivave për zhvillimin e projektit” thuhet në dokumentin e publikuar nga Banka Botërore.

Grupi vlerëson se balanca që rrezikon potencialisht anulimin deri në 31 maj 2020 është 11.5 milionë euro që do të thotë që këto janë fonde ende të padisbursuara për shkak të mos zbatimit të elementëve të projektit. Këto fonde janë në dispozicion për skemën Janjari dhe atë të Divjakës. Po kështu mbetet edhe një fond 1.3 milionë euro që duhet të shtohet nga qeveria në funksion të diferencave të kursit të këmbimit.