Bizneseve të Tiranës u rriten me 15-64% tarifat e pastrimit, u ndikuan dhe nga koncesioni i inceneratorit të plehrave

Bizneseve të mëdha e të vogla të Tiranës u kanë dalë në sistem tarifat e reja të pastrimit, të cilat kanë qenë në rritje në raport me vitet e mëparshme. Sipas faturave, që disa subjekte kanë dërguar pranë redaksisë së Monitor, për disa kategori biznesi, tarifa vjetore e pastrimit është 85,100 lekë, nga 74 mijë lekë që ishte në vitet e mëparshme (shiko faturën në fund), me një rritje prej 15%, për disa kategori të tjera (biznesi i vogëm me xhiro nga 2-8 mln lekë) rritja është nga 10 mijë në 11,500 lekë, po me rritje 15%.

By admin

Bizneseve të mëdha e të vogla të Tiranës u kanë dalë në sistem tarifat e reja të pastrimit, të cilat kanë qenë në rritje në raport me vitet e mëparshme. Sipas faturave, që disa subjekte kanë dërguar pranë redaksisë së Monitor, për disa kategori biznesi, tarifa vjetore e pastrimit është 85,100 lekë, nga 74 mijë lekë që ishte në vitet e mëparshme (shiko faturën në fund), me një rritje prej 15%, për disa kategori të tjera (biznesi i vogëm me xhiro nga 2-8 mln lekë) rritja është nga 10 mijë në 11,500 lekë, po me rritje 15%.

Rritja është më e lartë në përqindje për bizneset e vogla, me xhiro nga 0-2 mln lekë në vit. Për këtë kategori, tarifa është rritur me rreth 64%, nga 3,500 lekë në 5,750 lekë. Vetëm për disa kategori si shërbimet e fotokopjimit, sallonet e bukurisë, agjencitë valutore, transport etj, tarifa e pastrimit është 4 mijë lekë.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Taksave Bashkiake në Tiranë thanë se paketa e re ka pasur ulje për bizneset e vogla në lidhje me taksën e përkohshme të infrastrukturës Arsimore dhe rritje në disa raste në tarifën e pastrimit.

Këto tarifa të reja bazohen në vendimin 158 të Këshillit Bashkiak, të marrë në datën 26.12.2019 (shiko në fund tabelën e plotë të tarifave). https://www.tirana.al/kategoria-e-publikimit/2019

Rritja, ndonëse më e lehtë është dhe për familjarët, nga 5,000 lekë në vit që paguanin më parë në 5,750 lekë, ose 15% më shumë.

Për zonat administrative Dajt, Farkë, Kashar, rritja është me 300 lekë (nga 2,000 në 2,300 lekë), ose 15% dhe për njësitë e Berzhitë, Baldushk,  Petrelë, Vaqarr, Pezë, Ndroq, Krabë, Shëngjergj, Zall-Herr, Zall-Bastar, tarifa e pastrimit nga 1,000 lekë bëhet 1,150 lekë.

Rritja nga inceneratori

Në relacionin e Programit Buxhetor Afatmesëm, 2020-2022 të Bashkisë Tiranë argumentohet nevoja për rritjen e tarifave, me rritjen e kostos së shërbimit të lidhur edhe me zbatimin e kontratës koncesionare të inceneratorit. “Në bazë të analizës së kostos së shërbimit të pastrimit dhe përpunimit te mbetjeve është evidentuar një diferencë e theksuar mes kostos së shërbimit dhe të ardhurave të arkëtuara për mbulimin e tij. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht për shkak të hyrjes në fuqi të kontratës së inceneratorit në vitin 2018 , në bazë të PPP të realizuar nga Qeveria Shqiptare dhe që po zbatohet nga Bashkitë e qarkut të Tiranës. Gjithashtu një rritje e konsiderueshme vërehet edhe në koston operative vjetore të Bashkisë Tiranë për menaxhimin e këtij shërbimi. Për sa më sipër është vlerësuar e nevojshme rishikimi i nivelit të tarifës për të gjitha kategoritë, në mënyrë që të lehtësohet mbulimi i kostove të cilat janë në rritje cdo vit, pa arritur mbulimin total të saj, dhe në mënyrë të tillë që të mos ketë një rritje të theksuar në barrën fiskale të kategorive duke synuar një shpërndarje të drejtë të kësaj barre në përputhje me impaktin që secila prej këtyre kategorive mbart”, thuhet në relacionin e bashkisë.

Për vitin 2020, bashkia Tiranë pret që të mbledhë gati 2.2 miliardë lekë nga tarifa e pastrimit, me një rritje prej 17% në krahasim me një vit më parë, e argumentuar në relacion kryesisht me rritjen e tarifave.

Link i tarifave të vjetra https://www.tirana.al/uploads/2019/5/20190516094900_vendim-nr59-sistemi-i-taksave-dhe-tarifave-vendore.pdf

Link i tarifave të reja (VKB 158) https://www.tirana.al/kategoria-e-publikimit/2019