Ministria e Brendshme po bëhet gati që të ushtrojë përgjegjësinë e re për inspektimin e mjedisit, ujit dhe pyjeve në kuadër të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT).
Kështu deklaroi sot ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, duke i bërë thirrje qytetarëve që duan të mbrojnë territorin që të aplikojnë tek linku i vënë në dispozicion.
“Kushdo që ka motivimin e duhur për të mbrojtur territorin tonë (tokën, ujin, pyjet, ajrin) dhe aftësinë profesionale për këtë është i ftuar të aplikojë për IKMT”, – tha Lleshaj.
Qeveria ka ndërmarrë në funksion të pajisjes ose ngarkimit të Ministrisë së Brendshme me disa detyra të shtuara të reja, për sa i përket kontrollit të territorit dhe mjedisit. Ndryshimet konsistojnë në një zgjerim të fushës së përgjegjësisë të Ministrisë së Brendshme, edhe me funksionet e parandalimit, mbrojtjes dhe mbikëqyrjes, kontrollit dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e tokës, ajrit, ujërave dhe pyjeve nga ndotja, dëmtimet apo ndërhyrjet e paligjshme.
Ky ndryshim synon që të rrisë fuqinë parandaluese të institucioneve tona në mbrojtjen e mjedisit në vend, të godasë veprimtarinë e paligjshme dhe të sigurojë që vendi të zhvillohet në kushte normale sa i përket mjedisit, për të siguruar edhe parakushtet e tjera të domosdoshme për zhvillimin e ekonomisë, turizmit dhe të tjera.