Shkelet ligji i monitorimit të cilësisë së ajrit

Ajri i ndotur po bëhet gjithnjë e më shqetësues për çdo individ. A kemi mjedis të mbrojtur, në çfarë niveli cilësie janë monitorimet e ajrit, a kemi politika për përmirësimin e cilësisë së ajrit, a përputhen matjet tona me normat e lejuara në vendet e BE-së? Për probleme lidhur me cilësinë e ajrit kemi zhvilluar intervistë me z. Agron Deliu, Kimist Toksikolog.

By admin

Ajri i ndotur po bëhet gjithnjë e më shqetësues për çdo individ. A kemi mjedis të mbrojtur, në çfarë niveli cilësie janë monitorimet e ajrit, a kemi politika për përmirësimin e cilësisë së ajrit, a përputhen matjet tona me normat e lejuara në vendet e BE-së? Për probleme lidhur me cilësinë e ajrit kemi zhvilluar intervistë me z. Agron Deliu, Kimist Toksikolog.

Si paraqitet niveli i ndotjes së ajrit në Shqipëri?

Problematika e cilësisë së ajrit në Shqipëri ka ardhur përsëri në fokus publik pas raportit zyrtar të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA Kopenhagen) të vitit 2017, që në bazë të të dhënave të disponuara prej tyre rezulton se vendi ynë ka rreth 1990 vdekje të parakohshme banorësh, të shkaktuara prej ndotjes së ajrit. Sipas atij raporti,  rreth 1430 vdekje të parakohshme janë shkaktuar prej përmbajtjes së grimcave të imëta PM 2.5, ndërsa 560 të tjerat – prej përmbajtjes së gazeve dyoksid azoti NO2 e ozon O3. Këto shifra janë pjesë e tabelës se vdekjeve të parakohshme të shkaktuara prej ndotjes së ajrit në vendet e kontinentit Evropian, tabelë që është përpiluar prej Agjencisë Evropiane të Mjedisit bazuar në përqendrimet në ajër të ndotësve më të rëndësishëm, të raportuar prej Agjencive Mjedisore të vendeve evropiane të veçante (Air Quality in Europe, 2017 – EEA report No 13/2017, table 10/1 pp.57-58).

Kjo shifër vdekshmërie për vendin tonë është e lartë, krahasuar me shifrat analoge të vendeve të tjera të kontinentit dhe rreth 10 herë më e madhe se numri i vdekjeve nga aksidentet e trafikut automobilistik në Shqipëri. Këto të fundit për arsye të kuptueshme marrin shumë më tepër vëmendje publike e institucionale. Ndërsa vdekjet nga ndotja e ajrit janë vdekje ‘të heshtura’ e të pa konceptuara qartë nga politikëbërësit dhe publiku i gjerë në Shqipëri.

Si është raporti i hapësirave të gjelbra me banorët?

Problemi është plani i gjelbërimit. I nevojshëm është gjelbërimi brenda qytetit, specifikisht në Tiranë, duhet të gjelbërohen hapësirat midis pallateve. Nuk mendoj se duhet të ketë prioritet gjelbërimi i vendeve të cilat janë të gjelbëruara, p.sh: Mali i Dajtit ose pjesa periferike e qytetit, e të lihet pjesa brenda e qytetit.

Çfarë politikash janë marrë për mbrojtjen e ajrit?

Politikat mjedisore në vendin tonë kanë prioritet të ulët, ka mungesë fondesh në përmirësim të mjedisit dhe problemi më i madh është zbehja e mendimit apo rëndësia që i kushtojnë specialistëve të mjedisit. 

Në çfarë niveli cilësie janë monitorimet e ajrit?

Në vendin tonë ka shkelje të ligjit të monitorimit, nuk ka më matje të ndotjes së ajrit, zhurmave etj., gjithashtu ministria duhet të bëjë rregullisht të disponueshëm informacionin për publikun dhe organizatat e interesuara.

Rasti më ekstrem ka qenë për 2-3 ditë rresht, në periudhën 16-18.04.2018, ku pluhuri i Saharasë ishte i pranishëm  në ajrin e krejt pjesës perëndimore të Shqipërisë. Përmbajtja e tij e thithur nga të gjithë ishte 2-5 herë mbi normat e lejuara shëndetësore e mjedisore (shih grafikun më poshtë, të ndërtuar me matjet tona). Nuk pati asnjë reagim për këtë gjendje nga organet e shëndetit publik e të mjedisit, që e kanë detyrë funksionale të paralajmërojnë me të gjitha mënyrat e mundshme popullatën për rrezikun që i kanoset (sidomos fëmijët, pleqtë, të sëmuret me patologjitë e zemrës e të organeve të frymëmarrjes).

Por askush nuk mat cilësinë e ajrit tek ne, le pastaj të paralajmërojë për rreziqet që na vijnë nga jashtë. Kujtoni Çernobilin 30 e ca vite më parë kur Evropa  ulërinte për rrezatimin vdekjeprurës, ndërsa te ne institucionet heshtën dhe mbrojtën popullin si struci në shkretëtirë. Jemi po atje si mentalitet dhe praktikë, vetëm se më ‘moderne’, tërësisht të paaftë e të pa përgjegjshëm!!

A përputhen matjet tona me normat e lejuara në vendet e BE-së?

Matjet e kryera me dt. 30.12.2017 në ajrin mjedisor të Tiranës për përmbajtjen e grimcave të imëta PM10 e PM2.5 në nëntë pika rezidenciale e katër pika trafiku, rezultojnë në përgjithësi në vlera mjaft të larta mbi normat e lejuara në vendet e BE-së (ref. grafikut). Si mesatare qyteti përmbajtja e PM10 rezultoi rreth 36 përqind mbi normën e lejuar evropiane, ndërsa ajo e PM2.5 rreth 53 përqind.

Çfarë do të rekomandonit që mund të bëhet në përmirësim të cilësisë së ajrit?

Rekomandimi im shkon për vendosjen e një aparati për matjen e ndotjes së ajrit. Duke parë nivelin e ndotjes, bashkia dhe qeveria do të shtyhet për të përmirësuar politikat dhe cilësinë e ajrit.