Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në cilësinë e komisionit përgjegjës, zhvilloi të martën një seancë dëgjimore me përfaqësues të grupeve të interesit që operojnë në fushën e mjedisit, si dhe me deputetin socialist Ismet Beqiraj, i cili ka paraqitur disa amendamente gjatë shqyrtimit të projektligjeve: “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar”.
Të ftuar ishin Sazan Guri, nga Unioni i Ekspertëve Mjedisorë, Alban Zusi, drejtues i “Albanian Food Industry” (AFI), Ardian Kamenica, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Edison Konomi, drejtues i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Deputeti Ismet Beqiraj gjatë prezantimit të amendamenteve të tij, që lidhen me disa shtesa që shoqërojnë projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar”, sqaroi se nevojiten disa detajime për dhënien e lejeve mjedisore të tipit A. Deputeti Beqiraj kërkoi që veprimtaria e përpunimit të naftës dhe gazit natyror, të vlerësohet njëlloj si për veprimtarinë për kërkimin dhe nxjerrjen e naftës dhe gazit natyror.
Më tej përfaqësuesit e grupeve të interesit prezantuan sugjerimet e tyre konkrete lidhur me lejet e mjedisit të tipit B, për të cilat përfaqësuesit e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhanë shpjegimet përkatëse.
Këta të fundit theksuan se janë marrë parasysh disa propozime konkrete, por thelbi i propozimeve të sjella për diskutim dhe miratim në Kuvend lidhen me heqjen e lejeve të mjedisit të tipit C, në funksion kjo të Reformës së Deregulimit dhe uljes së kostove e thjeshtimit të procedurave për biznesin.