Lejet mjedisore / Aplikimi online lehtësi për 6900 subjekte që operojnë në këtë sektor

Ndryshimet ligjore në pr.ligjin për mbrojtjen e mjedisit, synojnë të lehtësojë subjektet private nga detyrimi për t’u pajisur me leje të tipit C, për aktivitete që kanë ndikimin të ulët në mjedis dhe niveli i shkarkimeve në mjedis është i pallogaritshëm.

By admin

Ndryshimet ligjore në pr.ligjin për mbrojtjen e mjedisit, synojnë të lehtësojë subjektet private nga detyrimi për t’u pajisur me leje të tipit C, për aktivitete që kanë ndikimin të ulët në mjedis dhe niveli i shkarkimeve në mjedis është i pallogaritshëm.

Komisioni i Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, diskutoi dhe miratoi sot ndryshimet e parashikuara në ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit që synojnë ndryshimin e sistemit të lejeve të mjedisit, duke e ndryshuar atë nga një sistem prej tri nivelesh të lejeve të mjedisit, tipi A, B apo C, në një sistem vetëm me dy nivele të lejeve të mjedisit, përkatësisht, leje të tipit A dhe B, duke eliminuar kështu lejet e mjedisit të tipit C.

Sipas relacionit që shoqëron këtë pr.ligj, ndryshimet ligjore bëhen në kuadër të paketës antikorrupsion, të rritjes së transparencës në fushën e mjedisit, si dhe në përputhje me Reformën e Derregulimit. “Pushteti qendror nuk mund të angazhohet për të lëshuar më leje mjedisi të tipit C për aktivitete, ndikimi i të cilave në mjedis është tepër minimal, ndërkohë që fokusi i ministrisë përgjegjëse për mjedisin dhe institucioneve të saj të varësisë është kontrolli dhe monitorimi i ndotësve të mëdhenj industrialë.

Ndryshimet e propozuara lehtësojnë ndjeshëm, si në kohë, por mbi të gjitha në kosto financiare, subjektet që tashmë operojnë me një leje mjedisi (tipi C), pasi ata lirohen nga tarifa vjetore e lejes së mjedisit, por nga kostoja dhe tarifa e përgatitjes së raporteve për zbatueshmërinë e kushteve të lejes së mjedisit të tipit C (një ose dy herë në vit)”- citon relacioni i këtij projektligji.

Sipas të cilit, nga ndryshimi i sistemit të lejeve të mjedisit, duke hequr lejet e tipit C, përfitojnë rreth 6900 operatorë, të cilët nuk kanë më detyrimin të pajisen me leje mjedisi të tipit C. Pra, hiqet nevoja për t’u pajisur me leje mjedisi për 47 aktivitete. Ky projektligj synon tё pёrcaktojё vetëm sistemin e ri të lejeve të mjedisit të përbërë vetëm me dy nivele të lejeve të mjedisit, përkatësisht leje të tipit A dhe B, duke eliminuar kështu lejet e mjedisit të tipit C, si dhe reflektimin e ndryshimit të organeve inspektuese, referuar ristrukturimit të institucioneve të varësisë të MTM-së, përkatësisht ristrukturimi i AKM-së dhe shkrirja e ISHMPUT-së.