Përfundimi i projektit me vlerë 850 milion lekë të reja për rehabilitimin e qendrës së qytetit te Fierit, nuk do të jetë i vlefshëm në qoftë se nuk bëhet edhe pastrimi i lumit Gjanica nga mbetjet hidrokarbure.
Brenda një kohe të shkurtër lumi Gjanica do të rikthehet në identitet. Pas sistemimit të shtratit të lumit, do të bëhet edhe pastrimi i ujit të Gjanicës.
Qytetarët e Fierit nuk do ta kenë më gangrenën e vjetër të ndotjes së lumit me mbetje hidrokarbure nga kompanitë e naftës.
Mbi shtratin e lumit Gjanica po ndërtohen edhe tre ura që lidhin dy pjesët e qendrës së qytetit. Për shtrimin e trotuarëve në të dy anët e lumit janë përzgjedhur gurë dekorativ, të cilët do të bëjnë edhe diferencën e këtij projekti.
Punimet për rehabilitimin e qendrës së qytetit pritet të përfundojnë në fillim të muajit shtator të këtij viti.
Ndërtimi i pallatit të ri të sportit është projekti që do të vihet në zbatim pas rehabilitimit të qendrës së Fierit.