198 vend depozitime të paligjshme të hedhjes së mbetjeve urbane, janë identifikuar në të gjithë vendin nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Kreu i ketij dikaseteri, Blendi Klosi bëri me dije se të gjitha do të pastrohen dhe kthehen në vende të gjelbëruara.
“Do të kërkojmë një rehabilitim të plotë të të gjitha venddepozitime të mbetjeve urbane, janë plot 198 të evidentuara si ky që po rehabilitojmë sot në Krujë për ta shndërruar nga një venddepozitim mbetjesh urbane në një park për qytetin. Ky është aksioni i parë dhe do të vazhdojmë në 61 bashkitë për të përcaktuar ku do të jenë vendet legale për bashkitë në bazë edhe të kritereve minimale për venddepozitimin, do të ndërtojnë landfillet e tyre të vegjël për të shkuar pastaj në zgjidhjet rajonale”.
Heqja e guroreve dhe gjelbërimi i malit të Krujës është një tjetër projekt që do të nisë në Mars.
“Së bashku me tre ministri të tjera ne kemi ndërmarrë rehabilitimin përfundimtar dhe zhvendosjen e gjithë guroreve nga mali i Krujës, për të kaluar në një zonë tjetër dhe shpresojmë që brenda këtij muaji ne të përfundojmë të gjitha detajet për të filluar me fillimin e muajit Mars, zhvendosjen e guroreve historike nga mali i Krujës, drejt një zone e cila është përcaktuar tashmë, por po negociohen detajet e fundit”.
Rigjenerimi i territoreve të dëmtuar është dhe qëllimi i fushatës “krijo oksigjenin tënd”, e iniciuar nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit.