Landfilli në Sharrë “gllabëron” para, edhe Bashkia paguan 2 tarifa

Thellohet skandali në Landfillin e Sharrës. Prej disa ditësh kompani të ndërtimit dhe shoqata të…

By admin

Thellohet skandali në Landfillin e Sharrës. Prej disa ditësh kompani të ndërtimit dhe shoqata të biznesit po denoncojnë një tarifë që prej mëse 7 muajsh i paguajnë koncesionarit për të depozituar në landfill dherat e pakontaminuar. 480 lekë për ton paguhen për llogari të kompanisë Integrated Energy” B.V me miratimin e Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Mjedisit.

Por News24 ka zbuluar se tarifën shtesë e paguan edhe vetë Bashkia e Tiranës. Sipas kontratës që Ministria e Mjedisit ka lidhur me kompaninë koncesionare, Bashkia e Tiranës detyrohet të paguajë një shumë prej 29 eurosh për cdo ton mbjetje organike që prodhojnë kryeqytetasit.

Por edhe Bashkinë, njësoj si biznesin privat e kanë detyruar të paguajë edhe tarifën tjetër prej 480 lekësh për cdo ton dherash që dërgon me mjetet e saj në landfill. Ky vendim absurd shton të ardhurat e kompanisë ‘Integrated Energy B.V.’ që fut sërish duart në xhepat e taksapaguesve kryeqytetas.

News24 fokusoi me kamera momentet kur kamionët me inerte të ndërmarrjeve të pastrim gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës dhe Agjensisë së Parqeve dhe Rekreacionit hynin në landfillin e Sharrës.

Gjatë ditëve të vëzhgimit në landfill, u konstatua një numër i madh i mjeteve të Bashkisë që transportonin dhera dhe interte dhe për të cilat duhej paguar tarifa shtesë. Pasi kryenin peshimin dhe pagesën e kamionit në dalje të Landfillit, tregonin faturën për veprimet që kishin kryer brenda tij.

Gjatë procesit të shkarkimit të dherave, koncesionari i inceneratorit të zonës së trajtimit të mbetjeve “Integrated Energy B. V” ushtron kontrolle të imtësishme për personat të cilët çojnë kamionët në Landfill.

Çdo kamion qoftë i Bashkisë apo i ndonjë firme ndërtimi i cili derdh dherat dhe inertet në Landfillin e Sharrës është i detyruar që në hyrjen e Landfillit personi i cili transporton këto dhera të dorëzojë kartën e identitetit për t’u regjistruar si person i cili është duke shkarkuar dhera në Landfillin e Sharrës.

Përcaktimi nga koncesionari i Sharrës dhe Ministria e Mjedisit i tarifës shtëse dhe pranimi i saj nga Bashkia e Tiranës, është cilësuar nga përfaqësues të bizneseve në vend si një vendim skandaloz, me natyrë klienteliste dhe korruptive.

Disa nga ndërtuesit treguan për News24 se pasi detyrohen të dërgojë dherat në landfill kundrejt pagesës, në rast se do t’u duhet një sasi dheu për një biznes bujqësor apo ndërtim lulishtesh përreth objekteve që ndërtojnë, duhet ta blejnë atë sërish në Landfill.