Për herë të parë sot, në qytetin e Vlorës, Ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime realizoi një dëgjesë publike me standarde në formë, qytetarët u njoftuan për pjesëmarrje dhe nuk munguan. Drejtoria e ndërmarrjes raportoi përpara qytetarëve për rritjen e re të çmimit të ujit dhe dëgjuan mendimet e tyre, si edhe mendimet e shoqatave mjedisore të Vlorës. Në thelb, kjo dëgjesë publike ishte e vonuar ose “mbas pilafit” siç u shprehën qytetarët sepse vendimi ishte marrë nga Këshilli Bashkiak për rritjen e çmimit të ujit. Ndërmarrjes së Ujësjellësit iu adresuan shumë pyetje nga qytetarët.
Ndërmarrja nuk ka prezantuar për komunitetin një studim të plotë për të justifikuar nevojat e rritjes së çmimit, por u mjaftua duke thënë se Vlora ka çmimin më të ulët se të tjerët.
Shqetësim tjetër i qytetarëve ishte se kjo ndërmarrje vjel vetëm 58% të faturimeve të ujit, nga paaftësia ose abuzimi i saj. Kjo do të thotë se paguajnë vetëm gjysma e qytetarëve edhe për gjysmën tjetër.
Mjedisorët ngritën shqetësimin e mungesës së informimit të qytetarëve për cilësinë e ujit të pijshëm, i cili vetëm emrin ka të tillë, sepse vlonjatët e blejnë me bidona atë. Uji ka problem, herë të higjienës, herë të klorit me dozë të shtuar, që në nisje të rrjetit dhe përkeqësohet më tepër në pikat fundore të qytetit, ku veç të tjerash shtohet edhe ndryshku i tubove të vjetra, pasi uji aty kalon vetëm pak orë në ditë.
Shoqatat mjedisore ngritën me forcë shqetësimin për mosrealizimin e dëgjesave publike me qytetarët në kohën e duhur, përpara vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak dhe për këtë rekomanduan të zhbëhet ky vendim. Ato kërkuan nga ERU të mos e marrë në konsideratë këtë vendimmarrje të pakonsultuar me qytetarët, të cilëve do t’u cënohen drejtpërdrejtë xhepat e tyre, sidomos në kushtet e mungesës së plotë të transparencës nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime.
Përse nuk mblidhen të gjitha faturimet?
Përse nuk bëhen publike analizat e ujit të pijshëm për qytetarët?
Përse kjo ndërmarrje e ka fondin e pagave 28% të buxhetit të saj?
Ku shkojnë lekët e qytetarëve?
Këtyre pyetjeve ndërmarrja nuk iu jep dot përgjigje.