Bota po distancohet dhe bashkohet njëkohësisht për të luftuar koronavirusin. E njëjta gjë mund të bëhet për krizën klimatike

Teksa pandemia e koronavirusit dhe ndryshimet klimatike janë në thelb çështje të ndryshme, ato ndajnë…

By admin

Teksa pandemia e koronavirusit dhe ndryshimet klimatike janë në thelb çështje të ndryshme, ato ndajnë dy karakteristika të rëndësishme: të dyja janë kriza globale që kërcënojnë jetën e miliona njerëzve.

Ndërkohë që Covid-19 përhapet, qeveritë, bizneset dhe individët në të gjithë botën kanë ndërmarrë masa drastike, njësoj si të ishte kohë lufte.

Coronavirus po dëshmon se është e mundur të bëhen ndryshime dramatike dhe sakrifica ekonomike për të shpëtuar jetë njerëzish.

Për dekada me rradhë, shkencëtarët kanë kërkuar që kriza e klimës të merret seriozisht. Por, pavarësisht marrëveshjeve të shumta ndërkombëtare, qeveritë kanë qenë të ngadalta për të ndërmarrë veprime për të zvogëluar shkarkimet e karbonit.

“Kjo është një situate e pakëndshme sepse tregon se në nivel kombëtar, apo ndërkombëtar, nëse duhet të ndërmarrim veprime, ne mundemi. Pra, pse nuk kemi ndërmarrë veprime për klimën? Dhe jo me fjalë, por me veprime të vërteta,” thotë Dona Grin, pedagoge në Qendrën Kërkimore për Ndryshimet Klimatike në Universitetin e Uellsit Jugor.

Atëherë, pse qeveritë nuk kanë bërë më shumë për të mbrojtur qytetarët e tyre nga ndikimet e ndryshimeve klimatike?

Kriza e klimës është gjithashtu një emergjencë globale shëndetësore.

Ndikimi i virusit ka qenë i papritur dhe dramatik. Nga ana tjetër, ndikimi i krizës klimatike është i ngadaltë – por jo më pak vdekjeprurës.

Diferenca në përgjigje ndaj dy krizave është se, për shumë njerëz, virusi është më shumë një kërcënim i menjëhershëm, i prekshëm. Virusi po infekton njerëzit tani dhe është burim i padiskutueshëm sëmundje për ta.

Kriza e klimës nuk është një virus. Sëmundjet që ajo shkakton dhe rreziqet që sjell, vijnë nga një palë e tretë – ndotje, përmbytje, thatësira – duke i dhënë mohuesve të krizës klimatike një mundësi për të argumentuar se ato shkaktohen nga faktorë të tjerë.

Vendet që zbatuan masa të parandalimit të hershëm për koronavirusin, të cilat shpërndanë shpejt burime mjekësore dhe përfshinë masa për distancim shoqëror, kanë ecur më mirë sesa vendet që ishin më të ngadalta për t’u përgjigjur.

Ky mësim rreth gatishmërisë vlen edhe për krizën klimatike.

Vendet duhet të veprojnë shpejt për të zbutur efektet e skenarëve të ardhshëm të klimës, në rastin më të keq, në vend se të presin që katastrofa të vijë para se ne të veprojmë.

Ata mund ta bëjnë këtë duke zvogëluar shkarkimet, të zhvillojnë teknologjinë e gjelbër dhe të zbatojnë politika efektive të klimës.

Ne e dimë se çfarë duhet të bëhet – si për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, ashtu edhe për të luftuar ndryshimet klimatike – por shumë vende me ndikimin më të madh janë duke pritur derisa të jetë tepër vonë.