Lejlekë po kthehen nga shtegtimi

Është shfaqur në Shkodër (Shqipëri) dhe Lejleku i parë ndërsa në Fier, Gjirokastër e Sarandë pritet të mbërrijnë shumë shpejt nga shtegtimi. Ndërkaq, një pjesë e Lejlekëve folezues në vendet fqinje kanë mbërritur tashmë nga vendet e dimërimit.

By admin

Është shfaqur në Shkodër (Shqipëri) dhe Lejleku i parë ndërsa në Fier, Gjirokastër e Sarandë pritet të mbërrijnë shumë shpejt nga shtegtimi. Ndërkaq, një pjesë e Lejlekëve folezues në vendet fqinje kanë mbërritur tashmë nga vendet e dimërimit. Në Kosovë, Maqedoni të Veriut e në Greqi ata janë shfaqur që prej 10 ditësh. Por individë të tjerë janë ende në shtegtim sikurse Lejleku Bela i pajisur me transmetues satelitor në Slloveni.

Foletë e Lejlekëve në vendin tonë janë për fat të keq mjaft të rralla. Vetëm 5-6 fole kanë qenë aktive në pesë vitet e fundit, shifër kjo fort e ulët krahasuar me të shkuarën e largët kur lejlekët ishin të pranishëm në thuajse çdo qendër urbane kryesore. Përvec rënies së numrit të foleve për shkak të persekutimit dhe humbjes se habitateve të ushqimit, duket se shumë Lejlekë nuk i mbijetojnë shtegtimit apo dimërimit apo e thënë ndryshe fluturimit të tyre për mbijetesë e për pasojë nuk kthehen më në foletë e tyre në Shqipëri.

Lejlekët, sikurse shumë shpendë të tjerë shtegtarë, përballen gjatë rrugëtimit shtegtues me plot faktorë kërcënues ku dallohet brakonazhi apo vrasja e qëllimshme, përplasja me infrastrukturën energjitike (turbinat e erës, linjat elektrike), elektroshoku etj.

Ndërsa ne nuk mund të kontrollojmë faktorët kërcënues gjatë shtegtimit, detyrimi ynë minimal është tu sigurojmë Lejlekëve kushte të mira folezimi, sikurse kjo platformë folezuese e vendosur nga AOS në Mars 2019 në bashkëpunim me OST.

Edhe pse në kushte të vështira pune për shkak të Covid 19, AOS vazhdon përpjekjet që në këtë nismë të mbrojtjes të përfshihen dhe struktura të tjera, për të rritur sa më shumë numrin e Lejlekëve folezues në Shqipëri.