Ndotja në Porto Romano, eksperti i mjedisit: Pasojat do të jenë të rënda

Prej me shumë se, 10 ditësh në zonën e Porto Romanos në Durrës është duke ndodhur një krim mjedisor. Si pasojë e një aksidenti vazhdon të derdhet nafta nga depozitat e një kompanie hidrokarburesh. Më alarmante situatën e bën mos reagimi i institucioneve.

By admin

Prej me shumë se, 10 ditësh në zonën e Porto Romanos në Durrës është duke ndodhur një krim mjedisor. Si pasojë e një aksidenti vazhdon të derdhet nafta nga depozitat e një kompanie hidrokarburesh. Më alarmante situatën e bën mos reagimi i institucioneve.

Kanali vaditës është mbushur me naftë dhe banorët e zonës çdo ditë rendin të mbushin bidonë, që më pas i transportojnë ma karroca e makina dhe i shesin me një çmim që varion nga 80 deri në 130 lekë për litër. Për momentin për ta është e rëndësishme të përfitojnë nga kjo situatë, ndërsa ky krim mjedisor për ekspertet ka pasoja të renda për shëndetin e banorëve të zonës, dhe jo vetëm. 

Ajo çka është shqetësuese në këtë situate është mos reagimi i institucioneve pavarësisht se pamjet tregojnë se kemi të bëjmë me një krim mjedisor, gjurmët e të cilit janë të freskëta edhe pas 10 ditësh. Policia e ka referuar këtë ngjarje në Prokurori, por deri tani asnjë person përgjegjës nuk është ndaluar. Nga ana tjetër Inspektorati Mjedisor ka qenë në vendin ku ndodhi ngjarja, por ende nuk është bërë publike asnjë raport. Ndërsa ky institucion është ende në proces ristrukturimi, sa i përket varësisë mes bashkisë apo Ministrisë së Mjedisit, dhe në këto kushte nuk mund të marrë asnjë vendim.

Mihallaq Qirjo, ekspert mjedisi thotë se, toka ku ka ndodhur incidenti është me bazë ranore dhe filtrimi i naftës në shtresa të më poshtme ndodh shpejt ndaj duhen marrë masa të menjëhershme. Përgjegjës për këtë situatë kur kanë kaluar 10 ditë dhe nuk ka ende asnjë masë, z. Qirjo bën Inspektoratin e Mjedisit dhe kompaninë që ka depozitat.

“Ndotja të tilla janë shumë të rënda për mjedisin dhe masat duhet të jenë të menjëhershme. Pasoja mund të jetën mbi ujërat nëntokësore që shërbejnë për zonën për rreth për ujë të pijshëm dhe për ujin që shërben për ujitje. Përveç tokës, ndotet dhe ajri”, u shpreh z. Qirjo gjatë një interviste për Euronews Albania.

Eksperti nënvizon më tej se, rikuperimi është i ngadaltë dhe varet nga sasia e shkarkuar, pasi nëse ndotja është e madhe rrezja e ndotjes zgjerohet. Ai u bën apel banorëve të zonës që të kenë kujdes nëse ndiejnë erë nafte në puse.