Banorë të fshatit Gështenjas në Pogradec kundërshtojnë ndërtimin e një stacioni për grumbullimin e mbetjeve para se të dërgohen në landfill. Ata thonë se u ndotet uji e toka me të cilën kanë të lidhur jetën.
Plani për ndërtimin e një stacioni mbetjesh në funksion të landfillit të Maliqit ka ngjallur kundërshtime në Pogradec.
Banorët e Gështenjasit u hodhën në protestë kundër idesë që në rrethinat e fshatit të ngrihet pika ku mbetjet ditore të zonës do grumbullohen para se të çohen në landfill.
“Nuk jemi pyetur dhe ne jemi të vendosur të mos e lejojmë”
“Po nuk u anulua kjo ne do dalim të zëmë rrugën”
Thonë se ndërtimi nisi i pa pyetur dhe i tremben ndotjes së ujit dhe tokës, me të cilat kanë lidhur jetën.
“Kam tokë buke këtu, tani kërkon të ma zabtojnë”
“Po u bë kjo nuk hahet asgjë”
Shqetësimin e banorëve tentoi ta qetësojë nënkryetari i Bashkisë.
Bledi Çomo u tha se nuk ka rrezik për florën e faunën.
“Kjo nuk është një vend grumbullim mbetjesh, por është një vend i cili me kontenier bëhet depozitimi dhe bëhet direkt transferimi për në landfill”
Stacioni i grumbullimit të mbetjeve ishte parashikuar të ndërtohej dy vjet më parë në Leshnicë, por asokohe banorët reaguan ashpër duke mos lejuar zbatimin e projektit.