Rezultatet paraprake të monitorimit të Kalit të Qyqes në Shqipëri

Përfundon me sukses monitorimi i parë për këtë sezon i popullatës së Kalit të Qyqes në Shqipëri.

By admin

Përfundon me sukses monitorimi i parë për këtë sezon i popullatës së Kalit të Qyqes në Shqipëri.

Rezultatet e monitorimit për konfirmimin e territoreve tregojnë se, popullata e Kalit të Qyqes në Shqipëri gjendet në 8 (tetë) territore të okupuara, të shtrira në zonën e Mallakastrës, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Përmetit. Popullata e vëzhguar përbëhet nga 5 çifte dhe 3 individë të vetmuar.

Nisur nga këto rezultate paraprake dhe krahasimi me 2019, mund të themi se popullata e Kalit të Qyqes është stabël ose në rënie ndërsa popullata e kësaj specie vazhdon të jetë në gjendje kritike.

Dikur shumë i zakonshëm, sot, Kali i Qyqes gjnedet vetëm në disa territore të kufizuara, në jug të vendit.Numri i kufizuar i individëve të Kalit të Qyqes në Shqipëri, tregon situatën kritike të kësaj popullate. Njëherazi thekson domosdoshmërinë e marrjes së veprimeve konkrete në mbrojtjen eshkabës së fundit folezuese në vendin tonë.

Këto veprime kërkohet të përqëndrohen kryesisht në:

 – parandalimin e përdorimit të karremave helmues,

 – izolimin e shtyllave për të parandaluar elektroshokun,

 – mbrojtjen dhe konservimin e habitatit 

 – parandalimin e shqetësimit dhe persekutimit të species.

Ky monitorim paraprak i popullatës së Kalit të Qyqes në Shqipëri për 2020 u mundësua falë punës së AOS, PPNEA, ADZM Gjirokastër dhe grupeve lokale të konservimit, në kuadër të projektit “Egyptian Vulture New Life”.

Krahas aktiviteteve të tjera konservuese, ekipi do të vazhdojë përgjatë gjithë sezonit folezues me vëzhgime rutinë në terren.

Ndërkaq do të implementohen dhe dy fushata të dedikuara për monitorimin e popullatës së Kalit të Qyqes, përkatësisht në muajin qershor dhe gusht, duke saktësuar më tej numrin e popullatës së llojit, po ashtu duke synuar ndjekjen e gjithë proçesit të folezimit deri në përllogaritjen e produktivitetit (të vegjël të aftë të fluturojnë) për fole.

Deri atëherë, le të shpresojmë për një sezon sa më të mbarë të folezimit të Kalit të Qyqes në Shqipëri!