Toka është i vetmi planet në Univers ku ka jetë. Me ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit, dëmtohen e gradualisht shkatërrohen ekosistemet dhe habitatet natyrore të kafshëve dhe bimëve. Dëmtimi i florës dhe faunës, njëkohësisht sjell përkeqësimin e gjëndjes së mjedisit dhe cilësisë së jetës. Njeriu po përpiqet të tërheqë gjithçka që i nevojitet për mbijetesë prej saj. Ajri që marrim frymë, uji që pimë, ushqimi që hamë dhe mijëra artikuj që përdoren çdo ditë të gjitha të ardhura nga natyra. Duke parë rëndësinë e mjedisit, lind nevoja e madhe për mbrojtjen e tij. Njeriu e shfrytëzon tokën në favor të interesave të tij, ku gjatë përdorimit ka dhe disa kosto mjedisore, të cilat duhen minimizuar në maksimum.
Ndotja e tokës paraqet ndotjen e sipërfaqes natyrore të Tokës nga aktivitetet industriale, komerciale, shtëpiake dhe bujqësore. Duke u fokusuar tek mënyra se si të fitojë më shumë para, njeriu po e anashkalon kujdesin ndaj ekuilibrave natyrorë. Njeriu po e trajton natyrën si pronë private duke ia humbur vlerat. Ne po e shkatërrojmë këtë mjedis, po e prishim këtë atmosferë. Mënyra më e mirë për të parandaluar ndotjen e tokës është përmes menaxhimit të mbeturinave në mënyrë te organizuar, shfrytëzimit të tokës në mënyrë te organizuar dhe praktikave adekuate bujqësore. Shumë procese në natyrë kryhen falë ekzistencës së ujit, të cilin njeriu po e ndot dita-ditës. Burimet ujore, po preken si nga faktorët shoqërorë (derdhja në ujëra e kimikateve, naftës) ashtu dhe nga faktorët natyrorë (përzierja e ujërave sipërfaqësorë me ujërat e ndotura nëntokësorë). Ndotja e ujit sjell pasoja të rënda për jetën, si: zhdukja e gjallesave të ndryshme të ujit, mospërdorimi për nevojat jetike i ujit, përhapjen e sëmundjeve infektive. Ajri është një ndër elementët bazë të ekzistencës së gjallesave, ku dekadat e fundit, megjithë vendosjen e limiteve të ndotjes nga vendet më të zhvilluara, ai po ndotet vazhdimisht.
Ngrohja globale njihet edhe si efekti serë për shkak se gazet që grumbullohen mbi tokë e kthejnë planetin të ngjashëm me nje sere. Ngrohja globale, nëse nuk do të kontrollohet do të shkaktojë probleme katastrofike me pasoja shëndetsore, mjedisore, ekonomike dhe politike. Kostua e këtyre pasojave do të jetë shumë më e madhe se sa kostua e parandalimit të tyre. Ndryshimi klimatik nuk është një kërcënim i largët por një kërcënim aktual për mjedisin, sigurinë dhe prosperitetin tonë. Frika aktuale, lidhet me faktin se ngrohja globale po ndodh me një shpejtësi të paparë. Natyra është pjesë e integraleve tona dhe ne po e plaçkisim këtë thesar cdo ditë e më shumë. Po dënojmë në një mënyrë aq mizore. Duke parë rëndësinë e mjedisit dhe atë ç’ka po ndodh me të këto dekadat e fundit, lind nevoja që çdo individ të ndërgjegjësohet dhe të punojmë për ruajtjen e mjedisit. Pasojat që sjell ndotja mjedisore janë vërtet shqetësuese. Për një cilësi jete më të mirë, duhet kontribuar në ruajtjen e mjedisit. Është shumë e nevojshme të mirëmbahen pasuritë natyrore të tokës, për të vazhduar jetën në tokë. Njeriu, ka harruar të kujdeset për planetin që i dha jetën dhe i përdor burimet e tij në mënyrë të pamëshirshme. Është shumë e nevojshme të kujdesemi për çështjet mjedisore për të qëndruar të shëndetshëm dhe të gjallë, pasi njerëzit kanë shfrytëzuar pa mëshirë burimet e jetës gjatë shekujve. Një nga shembujt më të mëdhenj është shterimi i shtresës së ozonit që na pengon nga rrezet ultraviolet të diellit. Një tjetër problem i madh i mjedisit është shkatërrimi i lumenjve duke u përzier me materialet toksike industriale që çon në ngrohjen globale. Rritja e industrializimit, çon në shpyllëzimin që përfundimisht çon në rritjen e temperaturës së Tokës.
Çdo gjë është duke u paketuar në qese plastike. Prodhimet e qeseve plastike po rriten dita ditës, të cilat sjellin dëme për mjedisin, pasi këto materiale janë të padegradueshme. Këto janë disa nga rreziqet që mbarojnë jetën në tokë, të cilat mund të reduktohen duke ndërmarrë hapa të vegjël si mbjellja e pemëve të reja, duke penguar shpyllëzimin, duke kufizuar përdorimin e automjeteve për të reduktuar ndotjen e ajrit, duke rritur ruajtjen e energjisë përmes reduktimit të përdorimit të panevojshëm të energjisë elektrike. Hapa të tillë të vegjël bëhen një hap i madh nëse merren me kujdes nga njerëzit në mbarë botën. Njeriu si qenie më e zhvilluar jetësore vazhdimisht kërkon ndryshime, punë më të lehtë dhe një jetë më të mirë. Kështu, me anë të arritjeve të tij gjatë gjithë jetës në fushën e modernizimit të teknikës dhe teknologjisë, pothuajse ka harruar të veproj në parandalimin ndotjes mjedisore, të cilat efekte tashmë janë duke paguar brezat e sotëm. Duke iu nënshtruar rrezikimit të shëndetit të tij nga llojet e ndryshme të ndotjes si të ujit, ajrit, ushqimit, duhet të besojmë se nuk ka shëndet të mirë pa ujë të pastër, ajër të pastër dhe ushqim të shëndetshëm. Kujdesi për mjedisin jetësor është mision i pakthyeshëm i çdo banori në planetin tokë. Bëhet e qartë se natyra për çdo ditë na dërgon sinjale për rrezikun që na kanoset nga shfrytëzimi i gabuar i mjedisit jetësor.
Mjedisi është shumë i rëndësishëm prandaj çdo veprim i dëmshëm mbi të do të mund ta dëmtonte atë dhe shëndetin e vetë njeriut. Për të pasur një shëndet të mirë nuk mjafton vetëm kujdesi për veten dhe një dietë e balancuar por gjithashtu edhe të pasurit një mjedis të pastër dhe të gjelbëruar. Mjedisi në një farë mënyrë përfaqëson vetë njeriun. Ai pasqyron jetën e njeriut si një libër i hapur. Që në momentin që lind e deri kur vdesin njerezit kanë kontakt të pandërprerë me mjedisin. Ne nga ai marrim të gjitha elementet e nevojshme për jetën. Me pak fjalë ne ekzistojmë sepse mjedisi ekziston. Fatkeqësisht sot toka shkatërrohet nga mbrojtësi i vet, nga duart e të cilit ajo duhej të jetë më e sigurt, pra nga njeriut. Degradimi dhe shkretëtirëzimi i tokës vjen si rezultat i veprimit të faktorëve, para së gjithash njerëzor, e shumë më pak të atyre natyror. Faktori njeri ka rolin e tij më të madh në degradimin e tokës. Ky degradim i tokës vjen si rezultat i ndotjes së madhe të mjedisit jetësor, që janë si pasojë e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, në mesin e të cilëve veçohen: energjetika, industria dhe komunikacioni. Por, siç duket ngopja e njeriut duke shkatërruar tokën nuk është e mjaftueshme, andaj ndërmerren edhe hapa tjera shtesë për degradimin e saj, edhe atë: përmes shpyllëzimit të pakontrolluar të një sipërfaqe e madhe gjatë një periudhe relativisht të shkurtër. Kjo lule gjigande jete po vyshken çdo ditë e më shumë dhe po venitet nën hijeshin e saj pamundësisht të fitoj pak impenjim nga këto qenie humane që pabesisht e përpiqen ta godasin kur u jepet mundësia duke shkatërruar jo vetëm jetën e tyre, por po i hyjnë në hak brezave pasardhëse.
Njeriu është një qënie komplekse. Ai i bën shkretëtirat të lulëzojnë dhe liqenet të vdesin. Toka po humbet dhe degradohet, pyjet e zhveshura po mbeten si”kafshët pa lëkurë”, lumenjtë rënkojnë nga pesha e eskavatorëve që po u tronditin themelet, toka kërkon ujë, edhe pse ecim mbi ujë, mjedisi po cënohet rëndë. Të gjithë jetojmë në këtë mjedis, ushqehemi në këtë tokë, argëtohemi në këtë ambient. Kushdo mund të kontribuojë në mbrojtjen e tokës dhe mjedisit me fjalë e me punë. Mbrojtja e tokës dhe mjedisit nuk është çështje e një dite, por e vazhdueshme. Të gjithë brezat kanë përgjegjësinë historike të kontribuojnë në mbrojtjen e tokës dhe burimeve të saj. Natyra është vetë jeta, gjëja më e çmueshme e jona sa as finesa e njeriut nuk do të dëshmonte një shpikje më të bukur, më të thjeshtë dhe të drejpërdrejtë sa natyra. Ajo është më e shtrenjtë se tërë pasuritë minerale të tokës së bashku, më e bukur se diamanti sa vetë e keqja dorëzohet përpara saj dhe më humane se vetë njeriu. Njerëzit fajësojnë mjedisin e tyre. Por është vetëm një njeri për tu fajësuar dhe vetëm një, ata vetë.
Rritja e përgjegjësisë individuale është çelësi për të lëvizur nga ndërgjegjësimi drejt veprimit, gjë që do ta kthejë njeriun në ekuilibër me natyrën. Pavarësisht se çfarë roli kemi: qytetar apo konsumator, prodhues apo promotor, vendimmarrës apo gjykatës, ne të gjithë kemi një rol për të luajtur, kemi përgjegjësi specifike për të arritur, nëse me të vërtetë duam që të thithim ajër të pastër, të pijmë ujë të freskët, të kemi rrugë të qeta, pejsazhe të mbrojtura, pra një vend më të shëndetshëm për të jetuar. Duhet të kujtojmë se mbrojtja e mjedisit është një proçes dhe jo një fund. Vetëkënaqësia nuk duhet të jetë kurrë një opsion i vlefshëm kur kemi të bëjmë me mbrojtjen e elementëve bazë të jetës sonë. Askush nuk duhet të harrojë, pavarësisht nga posti që mban, se toka nuk i përket një brezi, as një mandati qeverisës, as njerëzve të veshur me pushtet, as edhe një ministrie të vetme. Toka është pasuria më e madhe kombëtare, është e brezave pa fund. Por ne duhet të veprojmë tani. Sa më gjatë të presim, aq më shumë e vështirë do të jetë ruajtja e ekuilibrit për të cilin kemi nevojë. Planeti Tokë është shtëpia e vetme e të gjithe krijesave të gjalla, prandaj misioni më i shenjtë dhe më i çmueshëm i njeriut do të ishte ruajta e kësaj shtëpie të përbashkët dhe kujdesi maksimal për të.