Ese nga Kristina Armata, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë

Toka është një shtëpi e madhe, shtëpia  e të gjithëve,  e cila na ka dhënë shansin të jemi banorë të saj për miliona vite. Por ndonëse ne mund të quhemi tokësorë, ne nuk jemi tokëdashës.

By admin

Toka është një shtëpi e madhe, shtëpia  e të gjithëve,  e cila na ka dhënë shansin të jemi banorë të saj për miliona vite. Por ndonëse ne mund të quhemi tokësorë, ne nuk jemi tokëdashës. Një shprehje thotë “Sillu me të tjerët ashtu sic do doje të sillen ata me ty”, por duke bërë një analizë të thjeshtë dola në përfundimin se ne nuk e vlerësojmë Tokën, ne po shkatërrojmë natyrën, po plaçkitim mjedisin, po shterojmë resurset, po shkrumbojmë pyjet e po vrasim kafshët, e sikur këto të mos mjaftonin, tashmë po shfarrosim njerëzimin , njerëzit po vdesin. Kjo është hakmarrja e Tokës, sepse gjithçka që ajo na fal , ne i shkatërrojmë, i keqpërdorim e i zhdukim, por harrojmë se këto po ja bëjmë vetes. Mbase paraardhësit tanë nuk i kuptonin çfarë pasojash na prisnin, por tani që ne po i përjetojmë këto fenomene, pse nuk po bëjmë asgjë për ta shpëtuar Tokën? Apo duhet të personifikohemi thjesht si përfitues, të pangopur dhe egoist?

Epo, durimi e ka një kufi dhe Toka foli. U dëgjua fort më në fund zëri i saj për ndihmë, por u desh të shpërthente një pandemi për të kthyer kokën pas e për të parë atë çka i kemi shkaktuar planetit tonë, e jo vetëm atij, por gjithë njerëzimit. Por për të lënë pas pandeminë, një rrezik më i madh për shtëpinë tonë, është ngrohja globale, ndryshimet klimatike. Nuk mbahet mend hera e fundit kur kemi ndjerë një dimër të mirfilltë dhe shkaku kryesor i kësaj është aktiviteti njerëzor . Bota sot po shkon drejt urbanizimit dhe kjo vjen me kosto të mëdha . Në vendet e zhvilluara nuk të zenë më sytë gjelbërim, por vetëm beton , ndërsa industritë , fabrikat e transporti vazhdojnë të ndotin tokën, ujin e ajrin. Si unë e shumë të tjerë nuk jemi shkencëtarë , por mjafton të hedhim sytë edhe në zonat ku banojmë dhe shohim qartë se shumë toka po lihen djerrë, liqenet po i nënshktohen kënetëzimit , qielli mezi dallohet nga perdja e zezë e tymit, ndërsa pyjeve u ka mbetur vetëm emri. Po çfarë po bëjmë kështu,  a jemi të ndërgjegjshëm për këtë që po ndodh ? Po gjithë ato gaze të çliruara nga dora jonë në atmosferë janë duke krijuar një serë gjigande dhe përcjell nxehtësinë në sipërfaqen e tokës , a thua se ne jemi perime për tu pjekur në të. Më e keqja është se ky fenomen po ndodh me ritme të shpejta dhe gjithë pasojat do të rëndojnë mbi ne. Temperatura mesatare e Tokës është rritur gjatë 150 viteve të fundit, mund të rritet e më shumë në të ardhmen, por do të duhet të përballemi me ndryshimin e klimës si rezultat i saj. Jo mw larg se ne fillim tw kwtij viti Australia luftoi pwr mbijetesw pwr shkak tw zjarreve qw e pushtuan gjithw kontinentin sepse temperaturat e larta ndikonin nw shtimin e tyre dhe e bwnin tw vwshtirw shuarjen. Përmbytje të mëdha na presin nga shkrirja e akullnajave dhe shumë ishuj e brigje do të gllabërohen nga uji. Veç tyre do të zhduket bota e gjallë, flora e fauna e shtëpisë sonë, madje dhe vetë ne do e kemi të vështirë të përshtatemi. Është një situatë që duhet marrë shumë seriozisht, problemet do të jenë katastrofike, pikë së pari rrezikohet shëndeti i njeriut, e pas tij problemet mjedisore e ekonomike. 

Shoh shumë portale me artikuj të ndryshëm të cilat shpalosin rreziqet që po sjell ngrohja globale, e bashkë me to flitet për masat që po merren nga shkencëtarët e politikanët për parandalimin e këtij rreziku. Sipas tyre, janë duke u aplikuar politika mjedisore dhe instrumenta ekonomikë për të frenuar ngrohjen globale, por varet sa të realizuara mund të jenë ato , sepse jam mjaft skeptike për vërtetësinë e tyre. Kam ndjekur me vëmendje dhe fjalimet e Greta Thunberg, aktivistes adoleshente për mbrojtjen e klimës dhe në një moment ajo përmendi “Rreziku i vërtetë vjen kur politikanët dhe bizneset japin përshtypjen sikur po bëjnë veprime konkrete, por në fakt, gati asgjë nuk bëhet jashtë kalkulimeve dhe marketingut”, dhe ka të drejtë, ne nuk dimë konkretisht asgjë se çfarë po përpiqen të bëjnë  apo nuk kanë bërë ata. 

Sfida më e madhe e jona është rikthimi i gjendjes normale dhe frenimi i kësaj ngrohjeje globale sepse ndryshimi i klimës është një kërcënim aktual për mjedisin e sigurinë tonë , mos të mendojë kush se është i largët. E meqë jemi në kohë karantine e njerëzit janë të izoluar , nga studimet e fundit ka rezultuar se ajri është disa herë më i pastër pasi njeriu ska mundsi të shfrytezojë më Tokën, koha ka ndaluar dhe si duket ajo arriti të fitonte disa ditë pushimi. Sot na është kërkuar të lajmë duart , por më shumë se kurrë ne duhet të pastrojmë shpirtrat tanë.  Toka e tregoi edhe një herë se ne jemi shumë të vegjël para saj , drejtësia  vonoi por zemërimi i saj erdhi më i fuqishëm se kurrë e madje thellë thellë mendoj se ky ka qenë qëllimi kryesor i saj: TË PASTROJMË ZEMRAT TONA E TË HAPIM SYTË SE FUNDI MUND TË JETË MË AFËR NGA SA E MENDOJMË NE. Prej 50 vitesh , data 22 prill është shpallur Dita e Tokës, por jo vetëm kjo ditë, por çdo ditë të vitit ne duhet t’ia kushtojmë asaj, shtëpisë sonë, dhe të reflektojmë për veprimet tona . Unë jam një dhe e pafuqishme të sjell ndryshimin e vetme, arma ime është vetëm fjala , por të gjithë bashkë, mund të bëjmë gjithçka .