Objektet me moshë më të madhe se 50 vjeçare do t’i nënshtrohen kontrolleve të imta teknike, me fokus të veçantë të ndërtimet ku qytetarët kanë akses të lirë si kinematë, teatrot, stadiumet, apo marketet. Këshilli i Ministrave ka dërguar në Kuvend propozimin për disa ndryshime në Ligjin për “Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit”, të nxitura në kuadër të situatës emergjente të krijuar nga dëmtimet që ka shkaktuar tërmeti i fuqishëm i datës 21 shtator 2019 në disa qytete të vendit, kohës së pamjaftueshme për rregullimet ligjore sipas procesit legjislativ dhe nevojës së menjëhershme për ndërtimin e riparimin e ndërtesave të dëmtuara.
Bëhet fjalë për ndryshimin e katër neneve të cilat parashikojnë kryerjen e auditimit teknik të punimeve të ndërtimit, në objektet të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar.
Gjithashtu, projektligji parashikon se oponenca teknike për projektet e ndërtimit të objekteve do të kryhet nga institutet shtetërore ose ente të tjera, të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e ndërtimeve, për të gjitha: a) ndërtimet publike; b) ndërtimet jo, me vlerë të preventuar së paku 100 milionë lekë; c) objektet me akses publik.
Synimi i ndryshimeve është verifikimi në mënyrë periodike nga Instituti i Ndërtimit, nëpërmjet kryerjes së auditimeve teknike të punimeve të ndërtimit, në objektet të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar, për plotësimin e kërkesave minimale të rezistencës, qëndrueshmërisë mekanike dhe sigurisë në përdorim; si dhe propozimi i masave përkatëse në rast të mosplotësimit të kërkesave minimale të punimeve të ndërtimit, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre.