Mesazhi im për Tokën
Planeti ynë, Toka është vendi ku jeta gjallëron në çdo skaj të saj, që me qeniet e para e deri tek më e zhvilluara, njeriu. Por në fillimet e saj, ajo nuk ka qenë e tillë. Ishte jeta ajo që i dha pamje tjetër.
Në fillim bimët zotëruan, dhe i dhanë bukurinë e gjelbër Tokës. Ujërat gurgulluan nga burimet e kaltra dhe mbushën dete e oqeane. Kafshët i dhanë edhe më shumë gjallëri me tingujt e tyre. Ajri ishte i pastër. Gjithçka ishte në harmoni, si një përrallë. Kësaj mrekullie iu bashkua edhe njeriu, kjo qenie e veçantë e natyrës.
Njeriu e deshi Tokën dhe çdo gjë të saj. Mori prej saj ushqimin, gurin dhe drurin për shtëpitë, ujin për të shuar etjen. Duke u zhvilluar, nevojat e tij u rritën dhe filloi të kërkojë më shumë nga vendi ku jetonte, dhe toka i dha gjithçka që kishte. Pa vetëdije, njeriu filloi të zaptojë tokat e bukura e t’i kthejë në qytete. Ndoti ajrin me tymin e fabrikave e më pas të makinave. Dëmtoi dheun me mbetjet e shumta.
Tokës po i merret fryma nga zhvillim që vazhdon edhe sot. Bimët dhe kafshët nuk janë më si më parë. Atmosfera e Tokës qan nga tymi. Shiu është kthyer në acid. Dheu po humbet vlerën e po varfërohet dita-ditës. Toka duket sikur diçka po thotë. Ajo i dha të gjitha njeriut, tani pret prej tij ndryshimin në të mirë të saj.
E di që për njeriun është e vështirë të ndërmarrë ndryshime të mëdha, por mund të fillojmë nga ato më të vogla. Së pari të filtrojë ajrin, për t’i dhënë mundësi frymëmarrjeje Tokës. Të rikthejë gjelbërimin e humbur duke mbjellë bimë. Të riciklojë mbetjet që Toka të mos ndihet e ndotur. Për këtë duhet që të gjithë të përkushtohemi. Kështu Toka dhe njeriu do të rifillojnë të jetojnë në harmoni së bashku.