Ese: Mesazhi im për Tokën vjen me dallandyshet.
Nxjerr kokën në dritare dhe shoh përtej saj. Përpiqem ta shtrij vështrimin sa më shumë të mundem, të shoh sa më shumë, të kënaqem sa më shumë me natyrë. Është ditë e ngrohtë, që të duket sikur t’a bën me sy e të fton të dalësh jashtë, të vraposh me sa fuqi të kesh, t’i marrësh erë luleve që kanë mbushur vendin anembanë. Por jo, nuk e gëzoj dot këtë ditë, as sot, as dje, as nesër, dhe ndoshta dhe shumë ditë të tjera. Për faj të virusit që po vret shumë njerëz në botë, jemi të detyruar të rrimë brenda. Por toka jonë e bukur lulëzon. Lulet kanë çelur anembanë dhe e kanë mbushur vendin me një aromë dehëse që vjen deri në dritaret e shtëpive tona, bari ka gjelbëruar gjithandej, dhe ja… një dallëndyshe fluturon mbi pemë. Duket sikur sjell jetë, sikur sjell mesazhin e shpresës. Duke fluturuar duket sikur thotë: kam kaluar mijëra e mijëra kilometra, kam shkuar gjithandej, kam parë male e fusha, dete e oqeane, liqene e lumenj, shtete e qytete dhe ja tek erdha sërish këtu. Është vështirë sigurisht, Tokës i bëhen padrejtësi, Toka shkatërrohet, Toka shfrytëzohet, por sërish ajo lulëzon dhe jeta vazhdon, dhe dallandyshet duket sikur janë symbol i gjithë kësaj shprese dhe jete. Të dua Toka ime, edhe pas dritares së shtëpisë, dhe e kuptoj më shumë tani se kurdoherë sa të padrejtë jemi me ty. Sa shumë të shfrytëzojmë, sa keq sillemi me ty, sa pis të mbajmë…. dhe ndoshta sot e kuptova pse pashë aq shumë përtej dritares sime…mungesa e makinave gjithë këto ditë e kanë pastruar ajrin. Ndihem me faj Toka ime, ti na mban, na ushqen e sërish sillemi keq me ty? A mjafton një ditë në vit, a mjafton 22 prilli për gjithë padrejtësitë që të kemi bërë? Jo! Duhet çdo ditë, çdo orë ne të mendojmë për ty Toka ime, që ti të vazhdosh të sjellësh shpresë e jetë kudo në botë.