Letër e hapur nga koalicioni i shoqërisë civile për një rimëkëmbje ekonomike të gjelbër

Rimëkëmbja e gjelbër për Shqipërinë

By admin

Rimëkëmbja e gjelbër për Shqipërinë

13 Maj 2020

Drejtuar:         Z. Edi RAMA

                        KRYEMINISTËR

                        KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Për dijeni:       DELEGACIONI I BASHKIMIT EVROPIAN NË SHQIPËRI 

                        BANKA BOTËRORE

                        BERZH

                        KfW

                        DONATORË TË TJERË TË INTERESUAR

Nga:                Organizatat e shoqërisë civile

Lënda:            Kërkesë drejtuar Qeverisë Shqiptare dhe donatorëve:

Të punojmë dhe të mobilizohemi së bashku për një rimëkëmbje të gjelbër e një të ardhme të qëndrueshme

Vendimet që do të marrim tani do të ndikojnë në jetët e shëndetin tonë, dhe në klimën që do të kemi në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Kriza shëndetësore e shkaktuar nga pandemia e  COVID-19 ka shkaktuar gjithashtu një krizë financiare dhe ekonomike. Qeveria shqiptare dhe donatorët kryesorë për Shqipërinë, kanë mobilizuar qindra miliona euro për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të vendit.

Vetëm Bashkimi Evropian ka dhënë 46,7 milionë Euro mbështetje për rimëkëmbje sociale dhe ekonomike të Shqipërisë.

Krahas krizës financiare, kriza klimatike po godet e do të godasë më fort Shqipërinë, dhe nëse nuk marrim masa tani dhe vazhdojmë me modelin e vjetër të një ekonomie ndotëse, ekziston rreziku për të kaluar shumë shpejtë nga një krizë pandemie në një krizë klimatike ku do të jemi krejtësisht të papërgatitur. Nga ana tjetër, sipas studimeve, investimet e gjelbra gjenerojnë më shumë vende pune në krahasim me industrisë ndotëse. Shqipëria gjithashtu e ka detyrim si vend kandidat për anëtarësim në BE që të riorientojë ekonominë në një ekonomi qarkulluese e të gjelbër, e të ulë shkarkimet e CO2 sipas Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.

Ky është shansi ynë më i mirë që kemi aktualisht për të shmangur rikthimin në një ekonomi shkaktare të krizës ekologjike e klimatike, e të ecim drejt një ekonomie që na siguron ajër të pastër, ujë të pastër, shëndet më të mirë e më shumë punësim për të gjithë.

Ne si një koalicion organizatash jofitimprurëse shqiptare kërkojmë nga qeveria shqiptare dhe nga donatorët që fondet publike për rimëkëmbjen ekonomike të përdoren për rimëkëmbje të gjelbër dhe jo për investime në industri ndotëse dhe emetuese të mëdha të CO2.

Duke i nisur nga kjo, kërkojmë:

Investime për ekonominë e gjelbër, biznese ricikluese,

Investime të ekonomisë qarkulluese, e sidomos për start-ups të gjelbër të hapur nga të rinjtë;

Investime për energjinë e ripërtëritshme (panele termike e impiante fotovoltaike), për efiçencën e energjisë dhe për termoizolimin i banesave;

Investime në bujqësi miqësore me mjedisin, si agropylltaria, bujqësi me vlera të larta natyrore dhe bujqësi organike;

Investime në rikthim të ekosistemeve në gjendje të mëparshme, projekte mjedisore e ndërgjegjësuese për mjedisin e klimën;

Pyllëzime masive të zonave të zhveshura duke angazhuar OJF-të, komunitetin dhe shtresat e varfëra, duke krijuar kështu një punësim për shtresat e varfra, dhe një sërë shërbimesh që krijohen nga pyjet si rezervat ujore, mbrojtja kundra erozionit dhe përmbytjeve, pastrimi i ajrit, zhvillimi i biodiversitet, zhvillimi i turizmit etj.;

Nxitja e prodhimit dhe konsumit vendas, nga biznese miqësore me mjedisin;

Subvencione e pagesa për shërbime për mjedisin që ofrohen nga OJF, komunitete, grupime e individë (p.sh. të paguhet mbjellja e pemëve, gjelbërimi i qyteteve; pastrimi i plazheve etj.);

E shtuna pas mesditës dhe e gjithë e diela të bëhet pushim për të gjithë biznesin përveç atij çlodhës dhe biznesit të domosdoshëm. Këto ditë, të ndalohet qarkullimi i mjeteve private brenda unazave të qyteteve, dhe qendrat e qyteteve të lejohen që të kthehen në tregje të vegjël ku të shiten me tezga produkte të bëra në shtëpi apo sende të përdorura (ekonomi qarkulluese).

Investime në transportin e gjelbër dhe infrastrukturën e tij si shtigje për biçikleta, autobusë e tramvaje elektrikë, hekurudha, stacione karikimi për makina elektrike etj.;

Investime për kthimin në kompani të gjelbër të kompanive ekzistuese shtetërore, SH.A.-të etj;

Prokurime publike të gjelbra.    

Ofrimi i granteve për biznesin në Kërkim dhe Zhvillim të orientuar nga një analizë kërkimore.

Sinqerisht,

Koalicioni i organizatave mjedisore shqiptare

Instituti i Politikave Mjedisore

Qendra Mjedisore EDEN

Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri

Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit  

Instituti për Projektim dhe Menaxhim Mjedisor EDMI 

Co-Plan

Ekolëvizja

Green Vision

SEEP – Social Education & Environment Protection

EcoAlbania

RAF-Royal Albania Foundation

ECO-Partners for Sustainable Development

Shoqata Ekspertët e Rinj Mjedisorë SHERM

Milieukontakt Shqipëri 

Shoqata Egnatia

Protection and Preservation of Natural Environment in Albania (PPNEA)

Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë

Well Point-Kujdes për të gjithë

TOKA: The Organization to Conserve the Albanian Alps