Pavarësisht progresit, bota do të dështojë të sigurojë akses në energji të përballueshme, të qëndrueshme, besueshme dhe moderne brenda vitit 2030, thotë raporti i publikuar së fundmi për gjurmimin e objektivit të zhvillimit të qëndrueshëm numër 7 (SDG7) për progresin në energji, të publikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), Kombet e Bashkuara, Banka Botërore dhe OBSH. Pandemia globale e vështirëson edhe më shumë këtë objektiv. Raporti thotë se, përpara shpërthimit të pandemisë është regjistruar një progres thelbësor në aspekte të ndryshme të objektivit numër 7.
Por, pavarësisht kësaj, progresi mbetet i pamjaftueshëm për arritjen e objektivit brenda 2030-ës, thotë raporti. Shqipëria ndërkohë është mes vendeve që do ta ketë më të lehtë arritjen e objektivit por edhe mes vendeve që regjistron progres të ndjeshëm ndër vite në disa aspekte. Një ndër aspektet është ai i gatimit të pastër, që i referohet gatimit me burime të rinovueshme dhe sidomos me pajisje jo primitive. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndotja brenda shtëpisë, që është në masë rrjedhojë e gatimit jo të pastër, vret çdo vit 4 milionë njerëz në të gjithë botën.
Të dhënat e fundit për Shqipërinë i referohen vitit 2018 dhe tregojnë se aksesi në gatim të pastër në vendin tonë e ka 80% e popullsisë. Në 2015-ën kjo normë ishte në 76%, në 2010-ën në vetëm 67% dhe në 2000 në 39%. Në zonat urbane, norma ngjitet në 92%, ndërsa në zonat rurale zbret në 62%, thotë raporti. Të dhëna të tjera ndërkohë tregojnë se në drejtim të eficencës energjetike, Shqipëria grumbullon 2.9 pikë nga 5 të tilla, ndërkohë që një tjetër e dhënë tregon se 37% e konsumit total të energjisë në vendin tonë vjen nga burime të rinovueshme.