Jo më ndotje akustike në sezonin e ri turistik

Ndotja akustike në plazhe nuk do të lejohet në sezonin e ri turistik. Gjatë një…

By admin

Ndotja akustike në plazhe nuk do të lejohet në sezonin e ri turistik. Gjatë një takimi me drejtuesit e bashkive në qarkun e Vlorës, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi paralajmëroi se ministria e Mjedisit do të revokojë lejet mjedisore për ato hotele, bare apo restorante që do të shkaktojnë ndotje akustike.

Për të pasur një transparencë dhe zbatim sa më të mirë të ligjit, ministri Klosi tha se të gjitha bashkitë duhet të përgatisin hartën e caktuar se ku duhet lejuar ose jo muzika.

“Në bazë të planeve që do të përcaktojnë vetë bashkitë, ministria e Mjedisit do të revokojë lejet mjedisore për zhvillimin e aktivitetit në rast se zhurmat janë jashtë parametrave të lejuar”, u shpreh ministri.

Detyrimi ligjor u sillet në vëmendje kryebashkiakëve edhe përmes një urdhri që ministri Klosi ka nxjerrë gjatë muajit shkurt të këtij viti.

Një hartë e zonave ku mund të ushtrohen sportet e ujit me qëllim shmangien e aksidenteve në ujë është një tjetër detyrë e pushtetit vendor.

Duke folur më tej për sigurinë e plazheve, ministri Klosi theksoi se bashkitë duhet t’u kërkojnë bizneseve që të kenë të paktën një person për të dhënë ndihmën e parë.

Kreu i ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit kërkoi gjithashtu angazhimin e pushtetit vendor, komunitetit dhe biznesit të zonës në aksionin “Pastrojmë tokën që duam” që do të zhvillohet nga data 16 deri më 22 prill, të shpallur ndërkombëtarisht Dita e Tokës.