Sezoni turistik/ Lleshaj: Ndërhyrje ndaj krimit mjedisor, kontribut per cilësinë e turizmit

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj theksoi sot në mbledhjen e taskforcës për turizmin, zhvilluar në Golem, se Policia dhe IKMT janë duke punuar intensivisht për të ndryshuar situatën në lidhje me krimet mjedisore, ndërsa theksoi masat për sigurinë në plazhe.

By admin

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj theksoi sot në mbledhjen e taskforcës për turizmin, zhvilluar në Golem, se Policia dhe IKMT janë duke punuar intensivisht për të ndryshuar situatën në lidhje me krimet mjedisore, ndërsa theksoi masat për sigurinë në plazhe.

Taskforca për turizmin, me pjesëmarrjen e prefektëve dhe drejtuesve vendorë të bashkive bregdetare diskutoi masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

“Problematike është krimi mjedisor. Për të çliruar këto asete nga ndërhyrjet e papërgjegjshme njerëzore, nga dëmet e mëdha që i bëjnë. Kanë filluar goditjet e këtij fenomeni, por po goditen shumë njerëz, qindra miliona gjobë që po i vihet bizneseve që hedhin pa asnjë lloj kujdesi në lum çdo gjë që i tepron. Kjo kërkon bashkëpunim që ky fenomen të marrë fund dhe të kontribuohet për cilësinë e turizmit”, u shpreh Lleshaj.

“Lajmërimet për prishjen e objekteve duhet të jenë konsumuar me subjektet përkatëse për aq sa ligji parashikon detyrimin për lajmërim, megjithëse ata që kanë ndërtuar pa leje s’kanë lajmëruar kënd kur kanë bërë ndërtimin, por besoj se IKMT e zbaton një detyrim që i lajmëron paraprakisht dhe besoj se kjo është kryer. Nëse nuk është kryer do ta verifikojmë, nëse jo do të marrim masat përkatëse për gjithkënd që nuk ka kryer detyrimin për të njoftuar, por kjo mbetet për t’u verifikuar në terren”, tha ai.

“Është farë e thjeshtë, kush ka ndërtime pa leje nuk mund t’i ketë ato, kjo është thënë me kohë dhe është  momenti për t’u zbatuar. Autoritetet shtetërore kanë marrë përgjegjësi shumë herë më të mëdha edhe në raste të tjera kur interesi publik ka kërkuar të ndërhyhet  ndaj ndërtimeve të ndryshme pa leje edhe në zona shumë më nevralgjike dhe me peshë shumë më të rëndë edhe në vlerën e investimeve, pra interesi publik prevalon dhe kjo punë nuk mund të negociohet”, u shpreh Lleshaj.

“Në qoftë se do të ndërhyhet në plazhin X do ndërhyhet nga fillimi në fund për të gjitha ndërtimet që janë pa leje, që janë në kushtet e zaptimit të pronës apo të kërcënimit të interesit publik. Prandaj ju ftoj të gjithëve nëse keni të dhëna të tilla t’i paraqisni ato në të gjitha kanalet e mundshme zyrtare dhe do sugjeroj prokurorinë, por ka dhe kanale të tjera të administratës dhe ne do ndërhyjmë t’i çojmë para ligjit nëse konstatojmë rastin e vetëm me diferencim”, theksoi LLeshaj, duke iu drejtuar drejtuesve vendorë.

“Policia e Shtetit do të vazhdojë me intensitet të shtuar që të rrisë kontrollet për parametrat e sigurisë për ata që operojnë në një stacion plazhi. Policia do të ndërhyjë në funksion parandalues, për të bërë të mundur që jeta e njerëzve të jetë e garantuar nga të gjitha format e rrezikut që kërcënojnë njerëzit gjatë pushimeve. Stacionet e plazhit duhet të pastrohen nga ata që i kanë marrë në përdorim. Pjesa private përgjithësisht nuk cedon, ata që i marrin në përdorim kujdesen, por pjesa publike mbetet problematike, që shndërrohen në mbajtëse të mbetjeve”, u shpreh Lleshaj.