Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit (PPNEA) dhe qeveria shqiptare po bashkëpunojnë ngushtësisht duke ndërmarrë veprimeve konkrete në mbrojtjen e popullatës së kalit të qyqes në vendin tonë.
“Stacionet e ushqimit suplementar, të ndërtuara nga PPNEA, me qëllim garantimin e ushqimit të sigurt për popullatën e kalit të qyqes në vend, kanë treguar se kanë një impakt në uljen e rrezikut ndaj helmimit. PPNEA së bashku me partnerët e saj vendas dhe ndërkombëtarë do të vazhdojë përpjekjet nëpërmjet një serie aksionesh për ruajtjen e kalit të qyqes, llojit emblematik që folezon në vendin tonë”, shprehet Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit.
Një ditë më parë zv.ministrja e Mjedisit Ornela Çuçi tha se “pasuria e vërtetë e Shqipërisë është natyra e saj, që me relievin dhe biodiversitetin, ka krijuar një thesar unik në Ballkan”.
“Në gjendje tepër të vështirë është dhe popullata e Ballkanit dhe ajo botërore për kalin e qyqes (Neophron percnopterus). Për shkak të numrit tepër të kufizuar të popullatës, kjo specie është shpallur specie globalisht e rrezikuar. Kjo situatë kritike thekson njëherazi dhe domosdoshmërinë e marrjes së veprimeve konkrete në mbrojtjen e kësaj shkabe të rëndësishme për vendin tonë dhe mbarë botën. Qeveria shqiptare dhe organizata joqeveritare të vendit dhe të huaja po punojnë ngushtësisht për të reduktuar helmimin si faktorin kryesor të humbjes së popullatës vendase. Njëkohësisht ne jemi të angazhuar në reduktimin e përplasjes dhe elektroshokut, degradimin e habitateve dhe ndërgjegjësimin për ta kthyer kalin e qyqes në specie simbol të zonës të Vjosës, Drinos dhe gjithë pellgjeve ujëmbledhës të tyre”, është shprehur ajo.