HEC-et do të paguhen më pak – Enti Rregullator miraton çmimin e ri, prodhuesit kanë paralajmëruar proces gjyqësor

Prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike do të paguhen më pak nga qeveria për energjinë…

By admin

Prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike do të paguhen më pak nga qeveria për energjinë e prodhuar. Pas ndryshimit të formulës nga ana e Këshillit të Ministrave, Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar çmimin e ri, që sipas vendimit do të jetë 7.448 lekë/kwh apo rreth 0.6 lekë/mwh më i ulët në raport me çmimin e miratuar në janar të këtij viti. Në muajin maj qeveria vendosi ndryshimin e bonusit për promovimin e burimeve të rinovueshme nga 1.3 në 1.2, një koeficient që është pjesë e metodologjisë mbi bazën e së cilës përllogaritet çmimi vjetor me të cilin hidrocentralet deri në 15 MW shesin energjinë elektrike.

Ndërkohë që, vendimi i ERE-s është marrë në zbatim të këtij vendimi, që gjithsesi është kundërshtuar nga prodhuesit e energjisë elektrike. Sipas Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme,  që përfaqëson mbajtësit e kontratave koncesionare ky ndryshim është një goditje për investimet e kryera në këtë sektor, ndërkohë që paralelisht cenohet edhe siguria juridike e kontratave koncesionare.

Përfaqësuesit e shoqatës argumentuan gjithashtu, se shteti duhet të garantojë zbatimin e këtyre kontratave, ndërkohë që vendimi ishte marrë pa asnjë konsultim me ta, si palë interesi. Paralelisht, ata kanë deklaruar se çështja do të çohet në gjykatë.