Banka Botërore ka shtyrë edhe për një vit zbatimin e projektit për “Shërbimet mjedisore” në vendin tonë, i parashikuar të mbyllej në shtator të këtij viti, ndikuar nga kushtet e situatës së krijuar nga COVID-19, që ngadalësoi ecurinë e tij.
Projekti për shërbimet mjedisore u bë efektiv në janar të vitit 2015 dhe kishte si datë mbylljeje shtatorin 2019, por që më pas me një rishikim u shty me një vit.
Projekti me vlerë 22 milionë dollarë është fokusuar në zbatimin e granteve IPARD like për pyjet, krijimin e inventarit pyjor, azhornimin e softuerit të Sistemit Informativ të Pyjeve (AlFIS).
BB bën të ditur në dokumentin e publikuar në faqen e saj se “masat emergjente COVID-19 ndikuan në ritmin e disa kontratave në vazhdim dhe aktivitetet e planifikuara, si mbledhja e të dhënave në terren për pyjet dhe planet e menaxhimit të kullotave dhe konsultimet me komunitetet, trajnimi i stafit pyjor komunal për AlFIS, kontrollet në vend për grantet IPARD që mundësojnë autorizimin e pagesave për aplikantët dhe shpallja publike për regjistrimin e pyjeve dhe kullotave në disa komuna”.
“Planet e rishikuara të punës për secilin aktivitet dhe mënyrat virtuale të angazhimit me përfituesit e projektit u rishikuan dhe dakordësuan gjatë misionit, por afati kohor për përfundimin e të gjitha aktiviteteve po ngushtohet shumë çka do të bëjë që qeveria të kërkojë një zgjatje të datës së mbylljes së projektit” thuhet në dokumentin e BB.