Ndërtimi i një fushe kalimtare për grumbullimin e mbetjeve urbane para se të dërgohen në landfill ka ngritur në protestë banorët e dy fshatrave në Pogradec. Banorët thonë se projekti sjell pasoja negative, por bashkia e Pogradecit thotë se aty nuk do të prodhohet ndotje!
Banorët e fshatrave Gështenjas dhe Baçallëk dolën sërish në protestë kundër ndërtimit të një fushe kalimtare për grumbullimin e mbetjeve urbane para se të dërgohen në landfillin e Maliqit
Për shkak të pozicionit të fushës, ata frikësohen se uji i pijshëm rrezikohet të ndotet dhe mund të jetë rrezik potencial epidemie për rreth 1500 familje
“Po nuk u anulua kjo ne do dalim të zëmë rrugën”
“Kam tokë buke këtu, tani kërkon të ma zabtojnë”
“Po u bë kjo nuk hahet asgjë”
Ndërsa kritika kanë për faktin se sipas tyre se Ministria dhe pushteti lokal nuk u kanë marrë miratimin.
“Nuk jemi pyetur dhe ne jemi të vendosur të mos e lejojmë”
Bashkia e Pogradecit në reagim thotë se një përfaqësi e banorëve janë informuar se efektet e projektit sipas ekspertëve mjedisorë janë zero, si në mjedis ashtu edhe në jetët njerëzore.
“Bashkia Pogradec është njohur me projektin dhe nga diskutimet e bëra me ekspertët ka marrë garancinë se në zonë nuk ka ndotje. Nuk kemi të bëjmë me fushë grumbullimi mbetjesh apo landfill, por kemi të bëjmë me stacion transferimi të tyre. Në zonë do ndërtohet stacioni i cili në përbërje të tij ka kontenierë të lëvizshëm të cilët pasi mbushen merren nga kamionët e KRWM dhe transportohen drejt Landfillit. Në zonë nuk do të ketë as ndarje dhe as përpunim të mbetjeve. Në stacionin e Gështenjasit mbetjet nuk do të qëndrojnë më shumë se 1 ditë dhe transferohen menjëherë në Maliq. Më shumë se një protestë për stacionin Bashkia Pogradec e sheh atë si të nxitur politikisht. Edhe njëherë Bashkia Pogradec është e gatshme të ulet me banorët dhe bashkë me investitorët dhe KRËM të sqarojnë në detaje banorët për projektin dhe mungesën e rrezikut.”
Bashkia thekson se në zonë nuk do të ketë as ndarje dhe as përpunim të mbetjeve, ndërsa një stacion u ngjashëm është krijuar edhe në Bilisht.
“I njëjti stacion është ndërtuar edhe në Bilisht dhe lehtësisht mund të verifikohet nga mediat nëse ka ndotje ose jo (po ju vënë në dispozicion edhe video të stacionit Bilisht). Bashkia Pogradec garanton banorët se nuk do të ketë ndotje të tokës, ujit apo dëmtim të bimësisë. Në rast se do ekzistonte diçka e tillë ne do të ishin të parët që do e kundërshtonim atë. Ndërtimi i stacionit është më se i nevojshëm pasi fusha e mbetjeve në Peshkopi, është e tejmbushur dhe nuk ka më hapësirë për hedhje mbetjesh.”