Ekipi i përbashkët i Administratës së Zonave të Mbrojtura, Shkodër dhe Shpendëve të Shqipërisë realizuan ekspeditën e dytë të monitorimit të folezimit të dallëndyshes faqebardhë të detit në liqenin e Shkodrës, të vetmin mjedis ku ky lloj folezon në vendin tonë.
Gjatë kësaj ekspedite u vu re krijimi i së paku 2 vendfolezimeve të reja të këtij lloji, të shtrira tashmë në pjesën jugore të liqenit. Në disa prej blloqeve të folezimit procesi i inkubimit ishte në ditët e fundit, në blloqe të tjera në zanafillë dhe tjetërkund vazhdonte vrullshëm ndërtimi i foleve të reja.
“Marrë për bazë dinamikën e mprehtë në kohë që shpreh kolonia këtë sezon, ekipi ynë do të realizojë ekspedita të tjera monitorimi gjatë pjesës së mbetur të sezonit, me qëllim grumbullimin e të dhënave tepër të sakta mbi shtrirjen dhe parametrat e kolonisë”, shprehet ADZM.
Po ashtu, ADZM apelon se “është thelbësore që në këtë periudhë, të shmanget çdo shqetësim në zonat e folezimit. Për këtë kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha grupeve të interesit dhe qytetarëve, duke iu kërkuar dhe falenderuar paraprakisht për shmangien e plotë të çdo aktiviteti apo hyrjeve në zonat e folezimit”.