Skema kombëtare në bujqësi, 7,653 aplikime për bletari, ferma bio, blegtori e certifikime

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR) bëri publikë së fundmi listat e aplikantëve që kanë…

By admin

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR) bëri publikë së fundmi listat e aplikantëve që kanë aplikuar pranë saj dhe grupin e atyre që janë kualifikuar për të përfituar nga Skema Kombëtare.

Ajo që dominon në këtë listë të gjatë janë aplikantët në sektorin e blegtorisë dhe konkretisht e njohur si zgjerimi i tufës bazë.

Kjo është masa 1 e skemës “Për tufën bazë dhe të matrikulluar me dele, dhi dhe gjedhë ku kanë aplikuar 4814 ferma dhe ku janë kualfikuar për financim 1714 prej tyre.

Në masën e dytë “Për mbarështimin e bletarisë” rezultojnë 1486 aplikantë dhe të kualifikuar që do të arrijnë të përfitojnë financim 823 prej tyre.

Në masën e tretë “Për zëvendësimin e plasmasës termike sera e tunele plastike” numri i aplikantëve është 714 dhe i përfituesve 225.

Në masën e katërt “Bime medicinale dhe aromatike “aplikantë ishin 480 dhe përfitues potencialë të kualifikuar 142.

Në masën pesë ku përfshihen fermat organike numri i aplikantëve rezulton 125 aplikantë dhe të kualifkuar për të përfituar mbështetje nga skema janë 98.

Masa e fundit është ajo për certifikimin “Global Gap” për të cilin kanë aplikuar 34 fermerë dhe po kaq janë kualifikuar për të përfituar.

AZHBR ka bërë me dije se të gjithë subjektet që kanë aplikuar dhe janë sipër vijës së kualifikimit duhet të shohin statusin e tyre dhe nëse kanë nevoje që të paraqesin dokumente shtesë pranë agjencisë. Në çdo rast nëse konstatohet diçka e tillë afati për dorëzimin është data 17 korrik.

Skema Kombëtare është një politikë mbështetëse që ndiqet nga qeveria prej disa vitesh dhe ku parashikohet një fond i veçantë çdo fillim vit i destinuar për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë. Për vitin 2020 shuma e parashikuar në Skemë që do të shkojë për aplikantët e kualifikuar është 744  milionë lekë.