Ndotje alarmante e ajrit në Korçë

Në qytetin e Korçës po mbretëron një gjendje alarmante nga ajri i ndotur. Stina e ftohtë, përveç elementeve të përhershëm, shoqërohet edhe me shtimin e ndotësve të ajrit, që vijnë si pasojë e përdorimit të druve të zjarrit apo edhe qymyrit për ngrohje. Orët e pasdites janë kthyer në një shqetësim edhe për qytetarët të cilët e ndjejnë tymin në masë. Mjekët pohojnë se rritja e ndotjes së ajrit sjell jo pak probleme për shëndetin tek pacientët kronikë me sëmundje të mushkërive dhe zemrës, por vështirësojnë edhe rikuperimin nga virozat.

By admin

Në qytetin e Korçës po mbretëron një gjendje alarmante nga ajri i ndotur. Stina e ftohtë, përveç elementeve të përhershëm, shoqërohet edhe me shtimin e ndotësve të ajrit, që vijnë si pasojë e përdorimit të druve të zjarrit apo edhe qymyrit për ngrohje.

Orët e pasdites janë kthyer në një shqetësim edhe për qytetarët të cilët e ndjejnë tymin në masë. Mjekët pohojnë se rritja e ndotjes së ajrit sjell jo pak probleme për shëndetin tek pacientët kronikë me sëmundje të mushkërive dhe zemrës, por vështirësojnë edhe rikuperimin nga virozat.

“Të sëmurët që ne i kemi patur kronikë, kanë ardhur me shpeshtësi të këtyre shenjave dhe jemi përpjekur që me mundësitë tona t’i tolerojmë dhe t’i kalojmë së bashku duke marrë mjekimet që nevojiten për frymëmarrjen”, thotë Enkeleda Xinxifi, mjeke e përgjithshme.

Për qytetin që mbështetet fort tek turizmi, ky është një problem shqetësues, ndërsa sipas instancave ka dy këndvështrime. Së pari ngrohja me dru zjarri vazhdon të jetë një cenim për pyjet dhe nga ana tjetër djegia e tyre është një ndotës masiv i ajrit.

Bashkia e Korçës po përpiqet të gjejë një alternativë të re për ngrohjen. “Njëri prej të cilave është edhe përdorimi i gazit për ngrohjen e qytetit fillimisht pastaj më vonë edhe të zonave rurale, që janë pjesën fushore. Projekti TAP ka parashikuar që të lërë një pikë për marrjen e gazit në afërsi të qytetit të Korçës”, thotë kryebashkiaku i qytetit, Sotiraq Filo.

Korça është ndër qytetet më të ndotura në Shqipëri prej vitesh. Në qytet ka një kontrast të thellë mes stinës së ngrohtë dhe asaj të dimrit pasi në verë ndotja e ajrit ulet ndjeshëm.