Pse investimet në menaxhimin e mjedisit janë të domosdoshme

Në  vitin 2013 Shqipëria kishte ZERO landfille apo impiante brenda standarteve të BE-së për depozitimin apo trajtimin e mbetjeve. Shqipëria lejonte importin e mbejteve për të ndihmuar edhe industrinë e riciklimit, pasi mbetjet e vendit nuk diferencoheshin në burim, ndaj lënda e parë për industrinë e riciklimit ishte pothuajse inekzistente. Shqipëria ishte kthyer në një kosh të madh mbetjesh kryesisht në Tirane, Elbasan, Fier, Durrës, të cilat digjeshin ditën për diell duke çliruar në atmosferë Metan, 25 herë me të dëmshëm se Dioksidi i Karbonit dhe rrjedhimisht duke helmuar çdo gjë të gjallë në një rreze mjaft të gjerë.

By admin

Në  vitin 2013 Shqipëria kishte ZERO landfille apo impiante brenda standarteve të BE-së për depozitimin apo trajtimin e mbetjeve. Shqipëria lejonte importin e mbejteve për të ndihmuar edhe industrinë e riciklimit, pasi mbetjet e vendit nuk diferencoheshin në burim, ndaj lënda e parë për industrinë e riciklimit ishte pothuajse inekzistente. Shqipëria ishte kthyer në një kosh të madh mbetjesh kryesisht në Tirane, Elbasan, Fier, Durrës, të cilat digjeshin ditën për diell duke çliruar në atmosferë Metan, 25 herë me të dëmshëm se Dioksidi i Karbonit dhe rrjedhimisht duke helmuar çdo gjë të gjallë në një rreze mjaft të gjerë.

Askush nuk vë  në dyshim hierarkinë e procesit të menaxhimit të mbetjeve, ku parandalimi dhe riciklimi janë dhe duhet të qëndrojnë në krye për tu ndjekur më pas nga rekuperimi (një formë e të cilës është prodhimi i energjisë) dhe në fund landfillimi. Strategjia e Bashkimit Europian është e qartë në këtë drejtim, ZERO landfille, si zgjidhje aspak e dëshiruar dhe nëse dikush do merrte mundimin për të bërë një hulumtim fare të thjeshtë do shikonte që në vendet e BE-së veç tarifës së depozitimit të mbetjeve për ton në landfill aplikohet edhe një takse e shtuar, pikërisht për të ç’inkurajuar njesitë vendore ta përdorin landfillin si mekanizëm trajtimi.

Nese do te kthehemi në Shqipëri, një vend i vogël në sipërfaqe me potencial të madh të zhvillimit të turizmit detar e malor, ku kultura e diferencimit të mbetjeve në burim është pothuajze zero dhe rrjedhimisht cilësia e materialit të përftuar për riciklim është e ulët, cila do ishte zgjidhja për trajtimin e mbetjeve në Shqipëri ?

Incenerimi i mbetjeve me qëllim prodhimin e energjisë dhe riciklimi janë  dy procese që ndihmojnë dhe komplementojnë njëra-tjetrën në mënyrë perfekte.

Ne vitin 2014 Shqiperia u gjend përpara 2 alternativave. Njëra prej tyre ishte të zhvillonte  idenë  e ndërtimit të landfilleve në çdo qark. Ide të cilën t BE e ç’inkurajon, pasi landfillet kanë jetëgjatësi mesatare dhe në fund të jetës duhen mbyllur me kosto po aty në vend, duke filluar në këtë mënyrë kërkimin për territor të ri, për të ndërtuar një tjetër landfill. Në këtë mënyrë vendi ynë me sipërfaqe të vogël do të kthehej në varrezë mbetjesh dhe  duke demtuar potencialin e tij turistik.

Alternativa e dytë ishte zhvillimi i impianteve  moderne të prodhimit të energjisë nga mbetjet, me emëtime pothuajse zero, të cilat vetëm me rinovime teknologjike kanë jetëgjatësi mbi 80 vjeçare, duke eliminuar problemin e territorit si dhe duke përdorur pikërisht të ardhurat nga shitja e energjisë dhe materialit të paraseleksionuar për riciklim për të mbuluar kostot operative për mirëmbajtjen dhe operimin e këtyre impianteve.

Për sa i përket riciklimit ai është një  proces që duhet të ecë paralel me secilën nga alternativat që mund të zgjidhet. Të minimizosh sasinë e mbetjeve që shkon në landill apo në impiantet e prodhimit të energjisë është një sfidë e vështirë që do kërkojë shumë vite, por që për të mirën e mjedisit të përbashkët duhet incentivuar në vazhdimësi. Mjafton të sjellim  disa shembuj nga vendet më  të zhvilluara në BE për të kuptuar se këto janë procesë që ecin paralelisht.

Suedia, vendi kampion për standarde mjedisore, Inçeneron për prodhim energjie 53% të mbetjeve, riciklon dhe komposton 46% të mbetjeve dhe dërgon në landfill vetëm 1% të mbetjeve.

Finlanda, Inçeneron për prodhim energjie 57% të mbetjeve, riciklon dhe komposton 42% të mbetjeve dhe dërgon në landfill vetëm 1% të mbetjeve.

Danimarka Inçeneron për prodhim energjie 51% të mbetjeve, riciklon dhe komposton 48% të mbetjeve dhe dërgon në landfill vetëm 1% të mbetjeve.

Norvegjia Inçeneron për prodhim energjie 51% të mbetjeve, riciklon dhe komposton 41% të mbetjeve dhe dërgon në landfill vetëm 8% të mbetjeve.

Zvicra Inçeneron për prodhim energjie 48% të mbetjeve, riciklon dhe komposton 52% të mbetjeve dhe dërgon në landfill  0 % të mbetjeve.

Gjermania Inçeneron për prodhim energjie 35% të mbetjeve, riciklon dhe komposton 63% të mbetjeve dhe dërgon në landfill vetëm 2% të mbetjeve.

Estonia Inçeneron për prodhim energjie 44% të mbetjeve, riciklon dhe komposton 28% të mbetjeve dhe dërgon në landfill vetëm 28% të mbetjeve.

Pothuajse në të gjitha vendet e Bashkimit Europian riciklimi është proces paralel, që nuk pengohet nga inçenerimi, i cili edhe në vendet më të zhvilluara nuk ka arritur të jetë mbi 60% si dhe për të treguar që landfillimi është forma më pak e dëshiruar në BE. Thënë shkurt, BE ka zgjedhur Inçenerimin për prodhim energjie dhe jo landfillimin, si dhe mbështet në mënyrë të vazhdueshme riciklimin. E njëjta gjë ndodhi dhe në vendin tonë  në vitin 2014 kohë kur nisi rruga e inçenerimit.

Në Shqipëri ka përfunduar tashmë ndërtimi i impiantit të prodhimit të energjisë për Qarkun Elbasan, është pranë përfundimit impianti i prodhimit të energjisë për Qarkun Fier,  si dhe fillon këtë vit ndërtimi i dy baterive të para të impiantit për prodhim Energjie për Qarkun e Tiranës.

Në Evropë nuk ka  një strukturë të ngjashme, e cila të përfshijë brenda një projekti, impiant të teknologjisë së fundit për prodhim energjie nga mbetjet, landfill për mbetjet urbane, landfill për hiret, landfill për mbetjet inerte, impiant modern të trajtimit të ujrave të ndotur, impiant modern paraseleksionimi për riciklim si dhe gjithë infrastrukturën mbështetëse, që të kushtojë qoftë dhe një cent më pak se impiantet në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Një vështrim i shkurtër për impiantet e përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjise në  Elbasan, Fier, Tiranë.

Impianti i Prodhimit të Energjisë nga mbetjet në Elbasan u ndërtua në kushtet e një emergjence mjedisore të shpallur nga Këshilli Bashkiak Elbasan si dhe Komiteti Ndërministror i Menaxhimit të Mbetjeve si organi më i lartë vendim-marrës në fushën e menaxhimit të mbetjeve, duke miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave një propozim teknik dhe financiar të pakërkuar, i cili ofronte zgjidhje. Por ku konsistonte shkurtimisht propozimi i pakërkuar i operatorit privat? Ai merrte përsipër që me fondet e veta të ndërtonte brenda dy viteve një kompleks industrial më i madhi në  ne rajon,  i cili përfshinte një impiant të teknologjisë më të lartë për prodhimin e energjisë nga mbetjet që mund të trajtonte, deri në 140 ton në ditë. Një landfill për mbetjet urbane që do të vinte mbas rehabilitimit dhe mbylljes së vend-depozitimit dhjetra vjeçar dhe kancerogjen të qytetit të Elbasanit, një landfill për hiret, impiant të trajtimit të ujrave të ndotur, si dhe impiant paraseleksionimi të mbetjeve për riciklim. I gjithë ky kompleks do të kushtonte 21.6 milion EUR pa TVSH aq sa Banka Boterore, KFË apo dhe shumë donatorë të tjerë ndërtojnë vetëm një landfill në vende të tjera të ngjashme.  Operatori privat do ta realizonte investimin brenda dy viteve, ashtu siç edhe ndodhi 2015-2017, dhe shteti do ta kompensonte në këste fikse mujore për një periudhë 7 vjeçare.  Nëse në këtë ushtrim do të merrnim në konsideratë dhe vlerën në kohë të parasë pasi në llogjikë financiare 1 Lek i investuar sot dhe 1 Lek i fituar mbas 7 viteve nuk mund të kenë kurrsesi të njëjtën vlerë, me një normë kthimi prej 3% me zero prim risku (kujtojmë që në një vend si i joni vetëm risku politik është mjaftueshëm i lartë, pa hyrë në elementë të tjerë) atëherë vlera sot e këtyre 21.6 mln EUR që operatori privat i merr në 7 vite, ose rreth 3.085 mln EUR në vit do të ishte vetëm 19.2 mln EUR. Gjithashtu nga viti 2017, kur përfundoi ndërtimi deri në Dhjetor 2021 kur ky kompleks teknologjik i dorëzohet dhe kalon në pronësi të Bashkisë Elbasan, impianti do menaxhohet nga operatori privat dhe mbetjet e qarkut Elbasan do të depozitohen aty pa asnjë pagesë. Nga Dhjetori i vitit 2021 kur Bashkia Elbasan të marrë në pronësi dhe administrim këtë impiant, do jetë në gjendje të gjenerojë mjaftueshëm të ardhura nga shitja e energjisë dhe materialit të riciklueshëm për të mbuluar pjesën kryesore të kostove operacionale dhe nevojës për investime në filtra dhe remonte duke bërë që tarifa e aplikuar për ton në depozitim te jetë shumë më e vogël se tarifa që paguhet edhe në landfillet më të vjetër të rajonit apo Bashkimit Europian.  Impianti i prodhimit të energjisë nga mbetjet në Elbasan funksionon në perfeksion 24 orë ne 24, 11 muaj të vitit, pasi 30 ditë në vit janë remont i detyruar, duke tejkaluar edhe standartet mjedisore më të mira në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Europian. Prej vitit 2017 impianti prodhon energji elektrike, e cila ka kaluar në masën 100% falas në rrjet, në dëm të operatorit privat dhe në kundërshtim me parashikimet kontraktuale.

Kompleksi teknologjik i Qarkut Fier

Mbas një procesi dhe një tenderi ndërkombëtar ku për mbi 60 ditë u pritën oferta nga gjithë bota, u arrit që të lidhej kontrata me një operator privat gjatë gjysmës së dytë të vitit 2016 për kompleksin teknologjik të Qarkut Fier. Vetëm 200 m larg vend-depozitimit dhjetra vjeçar në Fier ku mbetjet digjeshin ditën për diell duke  çliruar në këtë mënyrë Metan  jetonin banorë të cilëve nga ndotja u shkurtohej ndjeshëm jetëgjatësa mesatare. Nga një keqinformim ata protestuan kundër impiantit i cili do ndërtohej 5 km larg shtëpive të tyre dhe nuk do të emetonte asnjë ndotje në ujë, tokë apo ajër. Megjithatë, qeveria qëndrore në koordinim me Bashkinë Fier me miratimin e operatorit privat, vendosi që kompleksi teknologjik të ndërtohej në një tjetër vend edhe pse për shkak të terrenit kostot e ndërtimit për operatorin privat do të ishin shumë më të larta.

Kosto e ndërtimit të kompleksit teknologjik për përpunimin e mbetjeve për Qarkun Fier ishte 28 mln EUR pa TVSH, i cili konsistonte në impiantin e prodhimit të energjisë nga mbetjet me gati dyfishin e kapacitetit të Elbasanit ose rreth deri në 250 ton mbetje në ditë, një landfill për mbetjet urbane, një landfill për mbetjet inerte, një impiant modern për trajtimin e ujërave të ndotur, një impianti modern për paraseleksionimin e mbetjeve për riciklim, si dhe gjithë infrastrukturën mbështetese. Ky investim i cili do të likujdohet nga qeveria qendrore me këste të barabarta mujore për një periudhë 6 vjecare, nëse do ti referoheshim sërish vlerës në kohë të parasë, me zero prim risku, e ka vlerën sot jo më shumë se 24-25 mln EUR.

Keqinformimi i opinionit  me nje kontratë alternative prej 15 milionë eurosh

Prej më se dy vitesh është hedhur në qarkullim një kontratë me “celësa në dorë “ për ndërtimin e impiantit për prodhim energji në vlerën 15 milionë EUR e cila në fakt është vetëm vlera e ndërtimit të termovalorizatorit që do të prodhojë energjinë dhe nuk përfshin as koston e ndërtimit të landfillit të mbetjeve urbane, as koston e ndërtimit të landfillit të hireve, as koston e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotur, as koston e impiantit të riciklimit si dhe as koston e infrastrukturës mbështetëse. Kjo është fare lehtë e verifikueshme në studimin e fizibilitetit si dhe në ofertën e operatorit privat ku zërat kanë qenë të diferencuar me kostot respektive.

Në vitin 2022 edhe ky impiant  do të kalojë në administrim dhe pronësi të Bashkise Fier, duke bërë të mundur që njësoj si për qarkun Elbasan, falë të ardhurave të krijuara nga shitja e energjisë dhe materialit për riciklim, të mbulohet pjesa më e madhe e kostove operative dhe nevojës për remonte, duke aplikuar tarifa depozitimi minimale, shumë herë me te ulëta se ato te landfilleve në çdo vend te rajonit. Sërish, kush mendon se shteti shqiptar mund të arrinte një marrëveshje më të favorshme teknike dhe financiare e t‘i kujtojë t‘i drejtohet dy sfidave të para publike të listuara më sipër. Sigurisht më i rëndësishmi i trinomit të këtyre parqeve teknologjike është ai i Tiranës i cili mbas një tenderi ndërkombëtar, filloi zbatimin gjatë vitit 2018 me bonifikimin e zonës se mbi kontaminuar të vend-depozitimit ekzistues në Sharrë dhe pritet të perfundojë plotësisht sipas parashikimeve kontraktuale brenda 6 viteve nga momenti që është miratuar leja e ndërtimit.

Zona e Trajtimit të Mbetjeve Tiranë

Në 6 vite nga momenti i fillimit të ndërtimit operatori privat do të investojë nga fondet e veta 128.6 mln EUR për të ndërtuar:

4 impiante për prodhim energjie nga mbetjet që trajtojnë deri në 1,200 ton në ditë Do të rehabilitojë plotësisht vend-depozitimin ekzistues në sharrë që për dekada ka helmuar ajrin, ujin dhe tokën e kryeqytetit të Shqipërisë Do të ndërtojë landfillin e mbetjeve urbane Do të ndërtojë landfillin e inerteve Do të ndërtojë landfillin e hireve Do të ndërtojë impiantin e trajtimit të ujërave të ndotur Do të ndërtojë impiantin e diferencimit për riciklim Do të ndërtoje të gjithë infrastrukturën mbështetëse

Ndërkohë, kanë filluar dhe përfundojnë në masën 100% brenda vitit 2020, bonfikimi, mbyllja dhe kthimi në park i vend-depozitimit të vjetër në Sharrë, ndërtimi i landfillit të ri të mbetjeve urbane, ndërtimi i landfillit të inerteve, ndërtimi i landfillit të hireve, impianti i trajtimit te ujërave të ndotur, impianti i diferencimit për riciklim si dhe gjithë infrastruktura mbështetëse. Fillon brenda vitit 2020 dhe përfundon në vitin 2022 ndërtimi i dy impianteve të para për prodhim energjie nga mbetjet si dhe brenda afatit 6 vjecar nga data e lëshimit të lejes së ndertimit përfundojnë edhe dy impiantet e tjera ku secili nga impiantet mund të trajtojë deri në 300 ton mbetje në ditë.

Një impiant i të njëjtes teknologji, në Danimarkë, me të njëjtin kapacitet trajtimi ditor si dhe vetëm me bateritë e prodhimit të energjisë dhe pa landfillët po kushton plot 700 milion EURO.

Për t’iu i rikthyer llogjikës financiare, nëse ky operator privat, do t‘i kishte investuar këto 128 mln EURO në obligacione qeveritare 30 vjeçare me zero prim risku, pra me një interes 3.6% mbas 30 vitesh do të kishte në llogari plot 370 mln EUR, ndërkohe nëse impianti do punonte në kapacitet të plotë, pra me 1200 ton mbetje në ditë * 365 dite * 29 EUR/ton * 30 vjet të ardhurat e operatorit privat në total mbas 30 vitesh do të ishin vetem 381 mln EUR. Pra, me të gjithë përbaltjen e mundshme që politika e ditës i ofron, operatori privat ka zgjedhur një fitim prej vetëm 11 mln EUR me shumë në total në 30 vite nëse primi i riskut do të ishte zero.

Fakti është që sasia e mbetjeve që aktualisht depozitohen në ditë është shumë herë më pak se 1200 ton dhe ky është një risk i marrë plotësisht përsipër nga operatori privat. Me sasinë aktuale të depozitimit të mbetjeve të ardhurat e pritshme në 30 vjet janë vetëm 242 mln EURO, duke e vendosur operatorin privat ne nje situate aspak te favorshme duke gjeneruar potencialisht 130 mln EUR më pak të ardhura, nëse paratë e tij do t‘i kishte investuar në obligacione qeveritare me zero prim risku.

Ndërkohe, veç riskut të kryerjes së investimit brenda 6 viteve dhe vjeljes së të ardhurave në 30 vite, operatori privat ka marrë përsipër dhe riskun e operimit të parkut teknologjik me kostot e veta për 30 vite duke u bazuar në të ardhurat që do gjenerojë nga shitja e energjisë dhe materialit të riciklueshëm. Duke patur në konsideratë një kosto operimi vjetor me cdo element që nga pagat e mbi 150 punonjësve dhe deri tek ndërrimi i filtrave dhe mirëmbajtja e landfilleve që shkojnë mbi 9.5 mln EURO në vit, ndryshe nga sa pretendohet, risku është marrë pothuajse 100% përsipër nga operatori privat dhe jo nga buxheti i shtetit.

Çmimi 29 EURO/ton për një park teknologjik të këtyre standarteve dhe permasave është padiskutim më i ulëti në krahasim me cdo impiant të ngjashëm në secilin nga vendet e Bashkimit Europian. Në shumicen e vendeve të Bashkimit Europian edhe tarifa e depozitimit të mbetjeve urbane në një landfill të thjeshtë shkon më shumë se 29 EUR/ton.