“Kush ndot më shumë paguan më shumë”/ Pse menaxhimi i mbetjeve urbane ne Shqipëri duhet të ndryshojë

“Kush ndot më shumë paguan më shumë”. Pse menaxhimi i mbetjeve urbane ne Shqipëri duhet të ndryshojë. Banorët paguajnë padrejtësisht për bizneset.

By admin

“Kush ndot paguan” është parim i së drejtës mjedisore i pranuar jo vetëm në Shqipëri por në nivel global. Ky parim siguron mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin e njerëzve nga ndotja. Ky parim ligjor, nga njëra anë bën të mundur parandalimin ose kompensimin e demit dhe nga ana tjetër siguron një “mjedis të shëndetshëm si një e drejtë themelore e njerëzve” e sanksionuar në Konventat Ndërkombëtare, dhe në Kushtetutën e RSH.

Situata e vështirë me mbetjet në Shqipëri është prova ose fakti që vërteton se në vendin tonë nuk janë përmbushur detyrimet ligjore. Nuk janë siguruar burimet e nevojshme për të mbuluar koston e menaxhimit të mbetjeve duke krijuar “plagën e rëndë” për mjedisin dhe rrezik të lartë për shëndetin publik.

Krijues të mëdhenj të mbetjeve janë edhe bizneset. Sasia e mbetjeve që krijohet nga bizneset natyrshëm duhet të llogaritet sipas natyrës së biznesit. Psh. nuk mund të jetë e njëjtë sasia e mbetjeve që krijon një zyrë kontabiliteti me sasinë e mbetjeve që krijon një restorant ose një qendër tregtare. Sasia e mbetjeve mund të llogaritet në zbatim të parimit “kush ndot paguan”. Në zonat urbane aktivitetet e biznesit krijojnë mbetje të ndryshme të cilat përfundojnë në konteinerët e bashkisë ndaj dhe pagesa për mbetjet urbane që krijojnë bizneset nuk është e drejte të paguhet nga banorët. Pagesa për mbetjet duhet të jetë e matshme dhe e përcaktuar si pagesa për energjinë elektrike dhe ujin. Kjo do të bëjë të mundur shërimin e plagës së infektuar të mbetjeve urbane në vendin tonë.