Raporti ‘Mushkëritë e Gjelbërta’ për cilësinë e ajrit dhe zhurmave në qytetet tona, tregon se veçanërisht Tirana ka norma të larta dhe mbi mesataren të Bashkimit Europian.
Një prej autorëve të këtij raporti Rodion Gjoka, i ftuar në Ora News, tha se janë kryer monitorime periudha nëntor 2019 – shkurt 2020, kryesisht në linjat e unazës dhe të kombinat-kinostudios.
Gjoka u shpreh se raporti i Bashkimit Europian e klasifikon Shqipërinë si një vend me ndotje të lartë dhe adreson rreth 5 mijë persona të prekur në vit.
Rodion Gjoka: ”Përsa përshkruhet për ndotjen e ajrit në linjën e unazës dhe të kombinat-kinostudios, janë kryer monitorime nga periudha nëntor 2019 – shkurt 2020. Janë mbuluar stacionet e të dyja linjave për 8 komponentë të ndotjes së ajrit dhe për komponentë të ndotjes akustike. Unaza dhe kombinat-kinostudio janë dy nga linjat që mbajnë masën për ndotjen më të madhe në Tiranë. Raporti i Bashkimit Europian e klasifikon Shqipërinë si një vend me ndotje të lartë dhe adreson rreth 5 mijë persona të prekur në vit, dhe kryesisht në Tiranë.”
Sipas tij, efekti i pandemisë dhe karantinës e reduktoi përqëndrimin e ndotjes në Tiranë, por në muajin shtator mund të kthehn vlerat e larta.
Rodion Gjoka: ”Efekti i pandemisë dhe i karantinës e reduktoi përqëndrimin e ndotjes në Tiranë jo vetëm nën normat e Bashkimit Europian por dhe nën normat e Organizatës së Shëndetësisë. Ajo çfarë po ndodh tani është një rritje kumulative e ndotjes për shkak të hapjes graduale. Duke parë që edhe një pjesë e mirë e qytetarëve dhe e fluksit të trafikut nuk ndodhen në Tiranë, por janë me pushime, pritet që në shtator këto vlera të kthehen në atë që ne e quajmë normalitet i hidhur.”
Gjoka tha se në këto stacionet e këtyre linjave të autobusëve, ekspozimi ndaj ndotjes është i lartë, ndaj personat me probleme të aparateve respiratore, mund të marrin masa, duke vendosur maska.
Rodion Gjoka: ”Mungesa e informacionit jo vetëm ndikon në vendimmarrje të gabuar por edhe në cilësinë dhe mënyrën e jetesës. Nga të dhënat që kemi arritur të grumbullojmë dhe t’i ofrojmë, është që t’i themi qytetarëve që po, një problem me cilësinë e ajrit ekziston. Është e sugjerueshme që ekspozimi përtej nevojës për të përdorur në këto akse të ulet në nivelet minimale të mundshme, apo të merren masa sidomos për personat që kanë probleme me aparatin aspirator, të përdorin maska.”