Pas nënshkrimit në datë 31 korrik 2020 të kontratës për zhvillimin e projektit të parkut fotovoltaik të Karavastasë mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë Voltalia në Qendrën Kombëtare të Biznesit është regjistruar “Karavasta Solar” që do të çojë para këtë projekt.
Kompania ka një kapital prej 12.3 milionë lekësh, apo rreth 100 mijë euro dhe është regjistruar në datën 20 gusht 2020. Në objekt të saj thuhet ajo do të kryejë çfarë “është e nevojshme dhe e përshtatshme për të realizuar të drejtat e detyrimet që rrjedhin nga Kontrata për Zhvillimin e Projektit date 31.07.2020 lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës, dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Voltalia SA, përfshirë, por pa u kufizuar në: projektimin, ndërtimin, instalimin, komisionimin, financimin, operimin, përmirësimin, dhe mirëmbajtjen e centralit të prodhimit të energjisë nga dielli dhe infrastrukturës shërbyese, përfshirë panelet fotovoltaike të ndodhura në Remas – Karavasta, Lushnjë, dhe Libofshe, Fier, Shqipëri (“Centrali”) si dhe linjën e transmetimit të energjisë elektrike që do lidhë Centralin me rrjetin shqiptar të energjisë; të prodhojë e shesë energji elektrike të prodhuar nga Centrali”.
Zyrat e aksionerit në Holandë dhe lidhja me Voltalia Portugal
Aksioneri i 100 për qind të aksioneve në “Karavasta Solar” rezulton VMI-ALB-Karavasta BV. Kjo kompani, sipas të dhënave në internet, rezulton e regjistruar me zyra në Amsterdam në Holandë.
“VMI-ALB-Karavasta BV është një kompani që zotërohet nga një entitet i huaj. Zotëruesi kryesor i VMI-ALB-Karavasta BV është: Voltalia Portugal, SA, lokalizuar në Oliveira de Frades në Portugali” thuhet në faqen e dimble.nl që citon Dhomën e Tregtisë sa u takon të dhënave për këtë biznes. Kompania deri në 6 korrik 2020 ishte nën emrin VMI-MX1 BV dhe më pas e ka kaluar atë në VMI-ALB-Karavasta BV.
Projekti i parkut të Karavastasë
Qeveria hapi garën për një park fotovoltaik në zonën e Karavastasë, i cili u mbyll vetëm në fund të majit, pas një sërë shtyrjesh për shkak të situatës së COVID-19, duke shpallur si fituese ofertën e kompanisë franceze Voltalia.
Kjo e fundit, ofroi një çmim 24,89 euro për megavat, shumë më i favorshëm sesa tavani prej 55 eurosh për megavat që kishte vendosur më herët Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në dokumentet e saj. Parku fotovolatik i Karavastasë është projektuar me fuqi 140 MW, ku 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar. Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vite dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë.