Krimi mjedisor me ndotjen e Gjanicës nuk ka të ndalur, ndërsa autoritetet po dështojnë për të identifikuar fajtorët. Ndotja në lumin që kalon përmes Fierit ka arritur në nivele alarmante, duke bërë që banorët të shpërthejnë në akuza ndaj institucioneve dhe kompanive të naftës.
Kjo ishte pamja e lumit Gjanica të mërkurën, (shiko videon).
Ndotja në lumin që përshkon Fierin ka arritur sërish nivele alarmante ndërsa faktorët janë të shumëfishtë.
Siç denoncojnë banorët, në orët e mëngjesit ujin e mbuloi një masë me ngjyrë të bardhë dhe erë të rëndë.
‘’Në mëngjes ishte me solucion të bardhë, ka mundësi ta derdhin natë, ose shpejt në mëngjes, dhe ditën e mbajnë pak më të pastër.”
Pamjet nga ana tjetër tregojnë së më shumti uji është ndotur nga mbetjet e naftës që dyshohet se derdhet nga kompanitë naftënxjerrëse që operojnë në Ballsh.
‘’Ka aromë se këtu dergjet naftë nga Ballshi. Gjanica ka qenë shumë e pastër. Por, njerëzit janë dhe të paedukatë, hedhin mbetjet në lumë.’’
Shkarkimi i ujërave të zeza dhe hedhja e mbeturinave është tjetër shkak.
‘’Ballshi e prishi këtë Gjanicë, hidhen këtu të gjitha mbeturinat.’’
Fenomeni është denoncuar në vazhdimësi, ndaj banorët e Fierit akuzojnë autoritetet se kanë dështuar për të ndëshkuar fajtorët e ndotjes.
‘’Të bëjnë detyrën e t’i venë përpara përgjegjësisë. Këto ndërmarrje duan të përfitojnë, nuk duan shpenzime të mëdha.’’
Angjensia Kombetare e Mbrojtjes se mjedisit Fier thonë se kanë evidentuar 29 pika ndotjeje. Inspektimet i janë dërguar zyrës juridike për t’i gjobitur.