Agjencia për Efiçencën e Energjisë ka hapur tenderin për realizimin e një studimi fizibiliteti lidhur me mundësinë e krijimit të një sistemi ngrohje të Korçës duke përjashtuar lëndën drusore.
Qyteti i Korçës ndodhet në lindje të territorit të Shqipërisë dhe i përket zonës C (zona e ftohtë), sipas përcaktimit dhe ndarjes së territorit në 3 zona.
Para viteve ’90, ngrohja në qytetin e Korcës realizohej në një pjesë të qytetin me ngrohje qëndrore me kalorifer duke shfrytëzuar nxehtësinë termike të prodhuar nga TEC-i i qytetit, dhe pjesa tjetër e qytetit ngrohej me dru dhe qymyr, një mënyrë kjo që përdorej nga të gjithë konsumatorët familjar në Shqipëri.
Pas viteve ’90 me daljen jashtë funksionit të aktivitetit të industrisë duke përfshirë këtu edhe HEC-in që mbështeste këtë industri, ngrohja e banesave fillimisht realizohej me dru dhe më vonë në mënyrë graduale filloi përdorimi dhe vendosja e pajisjeve FanCoil, (kondicionerë individual) duke shfrytëzuar energjinë elektrike të marrë nga rrjeti qendror.
“Ngrohja e banesave me sistemin FanCoil (individual) në shumë raste ka rezultuar jo efikase për arsye të cilësisë së dobët të pajisjeve të përdorura, duke dhënë rendiment të ulët gjatë periudhës së ngrohjes në dimër dhe shpeshherë dhe mosfunksionim të pajisjeve gjatë periudhave të ftohta nën zero gradë, ndërsa ngrohja tradicionale me dru përveç rendimentit të ulët në ngrohje shkakton prodhimin e gazrave CO2, ndotje të lartë të ajrit, si dhe prerje dhe dëmtim masiv të pyjeve.
Pavarësisht se ekziston një moratorium i vendosur nga qeveria i cili ndalon ushtrimin e veprimtarisë së shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik dhe privat, një pjesë e konsiderueshme e ngrohjes në qytetin e Korçës realizohet me lëndë drusore. Pavarësisht rritjes së çmimit të lëndës drusore përsëri kërkesa për përdorimin e druve të zjarrit për ngrohje hapësirash, gatim dhe ujë të ngrohtë sanitar mbetet e lartë” shkruhet në dokumentet e tenderit.
Objektivi i projektit është diversifikimi dhe gjetja e mundësive të reja për ngrohjen në sektorin e ndërtesave ekzistuese e të reja (publike apo private) gjatë periudhës së dimrit, me qëllim zvogëlimin e emetimit të CO2 si dhe uljen e kostove për ngrohje. Pesha e konsumit fundor të energjisë që konsumohet nga sektori i banesave është i konsiderueshëm dhe marrja e masave për të diversifikuar furnizimin me energji, si dhe uljen e emetimeve te CO2 është e një rëndësie të veçantë.
Duke patur këtë synim, qëllimi kryesor që do të ndjekë gjithë këtë proces do të jetë nxitja dhe përdorimi i alternativave të reja që janë miqësore me ambjentin, për ngrohjen e ndërtesave gjatë periudhës së dimrit dhe që që kanë fizibilitet më të mirë se burimet aktuale të energjisë të përdorura për ngrohje.
“Duke patur parasysh që Shqipëria tashmë është pjesë korridorit Trans Adriatic Pipeline aplikuesit në propozimet e sjella nga studimi i fizibilitetit duhet të marrin në konsideratë këtë mundësi si dhe të shohin mundësi të tjera alternative për prodhimin e energjisë si biomasa, panelet fotovoltaike diellore për prodhim energjie/ujë të ngrohtë sanitar, nga burimet eolike etj” shkruhet më tej në dokumentet e tenderit.
Qëllimi i këti shërbimi është realizimi i studimit të fizibilitetit dhe më pas i projekt idesë dhe projekt zbatimit të plotë, për realizimin e ngrohjes në qytetin e Korçës, duke përjashtuar lëndën drusore. Për këtë qëllim duhet të realizohen të gjitha matjet dhe investigimet e nevojshme për të mbledhur informacionin e saktë dhe në mbështetje të tyre të merren masat e nevojshme inxhinierike për hartimin e projektit.
Konsulenti duhet të studioje dhe të marrë në konsideratë çdo projekt apo studim të mëparshëm në këtë fushë. Për hartimin e studimit të fizibilitetit duhet të analizohen të gjitha mundësitë alternative të ngrohjes e shoqëruar dhe me një analizë financiare në lidhje me investimin e realizimit të sistemit të ri të ngrohjes. Konsulenti duhet të shqyrtojë jo më pak se dy variante por duke mos e kufizuar atë për të studiuar dhe paraqitur dhe variante tjera që ai do t’i shohë të arsyeshme.
Pas realizimit të studimit të fizibilitetit konsulenti do të realizojë projekt idenë dhe projektin e zbatimit, për variantin që do të përcaktohet si më fizibël nga ky studim. Ai do të paraqesë një program për realizimin e projekt-idesë, projektit të detajuar teknik të zbatimit, me të gjithë dokumentacionin e duhur për zbatimin e punimeve, në sistemin e ngrohjes së qytetit të Korçës;
Konsulenti në hartimin e projektit duhet të mbështetet dhe të zbatojë legjislacionin shqiptar dhe në mungesë të tij atë të bashkimit europin për këtë qëllim. Konsulenti sipas fazave të projektit do të analizojë dhe të japë të dhëna të hollësishme për shpronësimet e tokës apo objekteve duke dhënë të qarta kufijtë e shpronësimeve dhe llogaritjet e sipërfaqeve sipas pronarëve (nëse do jetë e nevojshme) duke u mbështetur dhe bashkëpunuar me pushtetin lokal.