Kalendari Mjedisor

Vjosë-Narta e shpendëve, mrekulli e natyrës dhe oaz mbijetese për zogjtë shtegtarë

Njeriu dhe natyra, një simbiozë e vjetër sa vetë jeta por që në ditët e sotme kërcënohet nga shumë faktorë. Megjithatë, natyra rigjeneron veten, ndërsa njerëzit gjithnjë e më shumë po tërhiqen prej bukurisë dhe qetësisë që ajo ofron me larmishmërinë e peizazheve, faunës e florës.

By admin

Njeriu dhe natyra, një simbiozë e vjetër sa vetë jeta por që në ditët e sotme kërcënohet nga shumë faktorë. Megjithatë, natyra rigjeneron veten, ndërsa njerëzit gjithnjë e më shumë po tërhiqen prej bukurisë dhe qetësisë që ajo ofron me larmishmërinë e peizazheve, faunës e florës.

Një nga këto oaze të natyrës së paprekur në vendin tonë është edhe zona e peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë, ku laguna e Nartës përfaqëson një territor me një shumëllojshmëri shpendësh, të cilët gjejnë aty një habitat të përkryer për të folezuar apo dimëruar. Një shfaqje biodiversiteti, që mes të tjerash përbën edhe një hallkë të rëndësishme të zinxhirit të mbijetesës së shpendëve, në sezonet e shtegtimit.

Kjo lagunë, pjesë kyç e korridorit të shtegtimit të Adriatikut lindor, përbën një nga ekosistemet ligatinore më të rëndësishme të Shqipërisë. E listuar nën kategorinë e IV-t nga IUCN (Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës), Laguna e Nartës është zyrtarisht kandidate për t’u shpallur si zonë Emerald nën Konventën e Bernës. Gjithashtu, kjo zonë përmbush të gjitha kriteret e klasifikimit si Ligatinë me Rëndësi në Nivel Ndërkombëtar, nën konventën Ramsar.

“Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë, i njohur për rëndësinë ndaj shpendëve e biodiversitetit, përfaqëson një nga ekosistemet ligatinore më të rëndësishme në Shqipëri. Ky territor mbart një numër të konsiderueshëm shpendësh, shumë prej të cilëve gjenden të listuar në direktivën europiane të shpendëve, si dallëndyshja e detit (Glareola pratincola), sqepbiza (Recurvirostra avosetta) apo dallëndyshja e detit ballëbardhë (sternula Albifrons)” – shprehet Xhemal Xherri, menaxher pranë Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrotjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).

PPNEA së bashku me Institutin për Ruajtjen e Natyrës (INCA), si organizata partnere për Shqipërinë në rrjetin e organizatave rajonale të BioNet, organizuan edhe një ekspeditë me disa përfaqësues të medieve kombëtare në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e ruajtjes së kësaj zone.